Janë identifikuar edhe mbetjet mortore të tre personave të “Grupit të Intelektualëve”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Kurti tregoi gjithashtu se Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur është njoftuar, ndërsa ai u shprehu ngushëllime familjarëve.
“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, tha Kurti.
Në shtator u identifikuan edhe Idriz Rreci, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu, pjesë e “Grupit të Intelektualëve”.
Nga gërmimet e korrikut dhe gushtit në tre lokacione në Zubin Potok u zhvarrosën mbetjet mortore të 23 personave, për të cilët dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës”, i zhdukur me forcë në vitin 1999.
Tre persona po hetohen për rastin, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.
Burimi: top-channel.tv










