Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

18-vjeçari me aftësi ndryshe, Leo Hasanllari: Jam i fortë përballë vështirësive

18-vjeçari me aftësi ndryshe, Leo Hasanllari: Jam i fortë përballë vështirësive
Foto: lajmifundit.al

Pavarësisht 24 operacioneve kirurgjikale dhe sfidave të vazhdueshme shëndetësore, Leo Hasanllari, një djalë me aftësi ndryshe, vazhdon shkollën dhe synon të ndërtojë të ardhmen e tij në fushën e teknologjisë.

Një intervistë me familjen

Në një intervistë në emisionin “Ftesë në 5”, së bashku me nënën Anxhela dhe motrën Lea, Leo rrëfeu përditshmërinë e tij, sakrificat e familjes dhe ëndrrat që ka.

Leo, 18 vjeç, vazhdon të përballet me sfidat e një sëmundjeje të rrallë të kockave, të njohur si osteogenesis imperfecta, ose “sëmundja e kockave të qelqta”. Pas 24 operacioneve, ai ende nuk mund të ecë, por kjo nuk e ka penguar të vazhdojë shkollimin dhe të planifikojë të ardhmen.

“Gjendja ime shëndetësore është shumë mirë. Tani vazhdoj shkollën, kurset. Jam te shkolla teknike ekonomike. Se kam qejf këto kompjuterat, ekonomi, biznes. E prandaj jam futur aty. Zgjohem, nisem për në shkollë. Gjendja ime shëndetësore është shumë mirë. Tani vazhdoj shkollën, kurset”, u shpreh Leo, i cili ndjek vitin e dytë në shkollën teknike ekonomike.

I pyetur se si i përballon vështirësitë e përditshme, ai u përgjigj thjesht: “S’i shoh fare, se jam i fortë.”

Vite operacionesh dhe kujdes të vazhdueshëm

Historia e Leos ka nisur që në muajt e parë të jetës, kur iu nënshtrua operacionit të parë në moshën dy muajshe. Që atëherë, ai ka kaluar 24 ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa trajtimet dhe kujdesi mjekësor vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së tij.

Nëna e tij, Anxhela, tregoi se kujdesi për të birin kërkon përkushtim të vazhdueshëm, pasi ai ka nevojë për terapi, ilaçe dhe ndjekje të specializuar.

“Një ditë me Leon fillon me shumë vështirësi, por ka edhe atë dashurinë dhe motivimin që ky fëmijë ka për të shkuar në shkollë, për t’u bashkuar me shoqërinë dhe për t’u ndier i barabartë. Për mua kjo ka rëndësi, që Leoni të ndihet i barabartë dhe të kthehet në shtëpi i lumtur dhe i buzëqeshur. Ne mundohemi që Leos të mos i mungojë gjë. Çfarëdo që shkenca dhe çfarëdo që marrim vesh në lidhje me këtë lloj sëmundjeje, mundohemi t’ia realizojmë. Shpresa vdes e fundit”, rrëfeu ajo.

Lidhja me motrën

Një mbështetje të veçantë Leo ka edhe nga motra e tij 9-vjeçare, Lea. Emrin e saj e zgjodhi vetë ai, duke dashur që të dy të kishin emra të ngjashëm.

“Doja që emri i saj të ishte i afërt me timin, që të ishim të ngjashëm deri në fund”, tregoi 18-vjeçari.

Marrëdhënia mes tyre është e mbushur me kujdes dhe dashuri. Lea tregon se Leo e shoqëron në kursin e anglishtes dhe e pret derisa të përfundojë, ndërsa një nga dhuratat më të bukura që ka marrë prej tij është një biçikletë.

Kur u pyet se çfarë dëshiron më shumë për vëllanë, përgjigjja e saj ishte: “Që të shërohet vëllai.” Ndërsa Leo e përshkroi motrën me fjalët: “Dhurata ime më e bukur është Lea”.

Ëndrrat për të ardhmen

Pavarësisht sfidave, 18-vjeçari ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen profesionale. Ai shprehu dëshirën për të punuar në fushën e teknologjisë, mundësisht nga shtëpia ose në zyrën e tij.

“Dua të kem zyrën time, gjërat e mia dhe t’i arrij ato që dua. Më pëlqejnë shumë teknologjia, telefonat dhe kompjuterat”, tha ai.

Në përfundim të intervistës, Leo përcolli një mesazh për të gjithë ata që përballen me vështirësi: “Mos u dorëzoni, në çfarëdo mënyre që jeni, sepse ka një Zot të lartë dhe mund t’i arrini të gjitha në jetë.”

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha