Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, u takua zyrtarisht me Brendan Collins, atasheun e FBI-së për zbatimin e ligjit.
Takimi u zhvillua më 17 nëntor në Prishtinë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në fokus ishin gjendja e sigurisë në vend, puna e policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve.
Gjatë bisedës u paraqitën gjithashtu të dhëna për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e sigurisë.
Hoti vlerësoi se marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së kanë qenë vazhdimisht të shkëlqyera dhe kanë prodhuar rezultate konkrete në aspektin e sigurisë.
Policia e Kosovës nuk bëri të ditura hollësi të tjera mbi çështjet specifike të trajtuara në takim.
Burimi: www.albeu.com









