Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Gazetarja padit KOHA-n për largim nga puna

Gazetarja padit KOHA-n për largim nga puna
Foto: reporteri.al

Një ish-gazetare e Grupit KOHA, Shpresë Hasimi, është paditur nga kjo kompani, e cila kërkon prej saj pagesën e 5 mijë eurove, për shkak të largimit nga puna para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare.

Për rastin ka njoftuar vetë gazetarja Shpresë Hasimi me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj përgjigjen ndaj padisë.

Padia dhe kërkesa financiare

“Padia lidhet me një dokument të quajtur „Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”, mbi bazën e të cilit KOHA kërkon nga unë pagesën e 5 mijë eurove, për shkak të largimit nga puna para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka treguar se dokumenti i ishte kërkuar të nënshkruhej në kohën kur ishte gazetare e re dhe në fillimet e karrierës profesionale. Sipas saj, para kësaj, ata kishin kaluar një periudhë trajnimi dhe praktike pa kompensim financiar.

“Përballë dëshirës për të nisur karrierën në gazetari dhe pas një periudhe të gjatë pa kompensim financiar, nuk ishim në pozitë të barabartë për të negociuar. Edhe pse kishim shprehur rezervat tona, na ishte thënë se ky dokument nuk kishte ndonjë efekt real”, deklaron më tej gazetarja.

Përgjigjja në gjykatë

Në përgjigjen e dorëzuar në gjykatë, ajo kundërshton ligjshmërinë e detyrimit financiar, duke argumentuar se largimi nga puna ishte bërë duke respektuar afatet e përcaktuara me Ligjin e Punës.

“Njëkohësisht, u bëj thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organizatave që mbrojnë lirinë e medias dhe kolegëve të mi që ta përcjellin dhe monitorojnë këtë proces”, përmbyll shkrimin ajo. /Insajderi.org/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha