Maqedonia e Veriut ka një nga nivelet më të ulëta të përdorimit të rripit të sigurimit në rajon, pasi vetëm 40.1 për qind e pasagjerëve e vendosin atë. Në Shqipëri kjo shifër arrin 75.8%, në Kosovë 53.8%, në Mal të Zi 59.6%, në Bosnjë e Hercegovinë 64.8%, ndërsa Serbia kryeson me 90.7%.
Studimi në Ballkanin Perëndimor
Sipas drejtorit të Sekretariatit të Përhershëm të Transportit, Talis Linkaits, studimi i zhvilluar në Ballkanin Perëndimor ka analizuar përdorimin e rripave të sigurimit dhe të ulëseve për fëmijë në gjashtë vendet partnere të rajonit. Rezultatet për Maqedoninë e Veriut tregojnë se vendosja e rripit nuk është kthyer ende në një praktikë të zakonshme, veçanërisht për pasagjerët dhe personat që udhëtojnë në sediljet e pasme.
Linkaits tha se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut përfshin teknologji të avancuara për sigurinë rrugore, kuadrin ligjor për sigurinë në komunikacion, si edhe koordinimin rajonal për përmirësimin e të dhënave dhe reagimin ndaj emergjencave. “Ne do të vazhdojmë të ofrojmë udhëzime dhe ekspertizë për zbatimin më të shpejtë të prioriteteve në fushën e sigurisë rrugore”, u shpreh ai.
Qëndrimi i institucioneve
Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli theksoi se siguria në komunikacion nuk lidhet vetëm me rregullat dhe infrastrukturën, por mbi të gjitha me mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
“Kjo është gjithashtu arsyeja pse iniciativat rajonale, siç është “Moment for Life”, janë kaq të rëndësishme. Sfidat në sigurinë rrugore nuk ndalen në kufijtë kombëtarë. Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përafrimit të politikave me standardet evropiane, mund të ndërtojmë një rajon më të sigurt dhe më të ndërlidhur. Le të kujtojmë se çdo vendim që marrim, çdo masë që zbatojmë dhe çdo veprim në rrugë mund të bëjë ndryshimin”, tha Kaltrina Zekolli.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, deklaroi se sistemi “Safe City” është funksional dhe po jep rezultate të mira. Sipas tij, teknologjia përbën një aleat të rëndësishëm në mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve.
“Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor paraqet një bazë të rëndësishme për një qasje sistematike në uljen e viktimave dhe lëndimeve të rënda, në përputhje me objektivat evropiane dhe parimet e “Vision Zero””, tha Astrit Iseni.
Ndryshimet sipas llojit të automjetit
Të dhënat për Maqedoninë e Veriut tregojnë gjithashtu ndryshime në përdorimin e rripit sipas llojit të automjetit. Në automjetet private, 77.8 për qind e fëmijëve që udhëtojnë në sediljet e pasme dhe 64.9 për qind e shoferëve e përdorin rripin. Në automjetet komerciale, përqindja është 64.9 për qind te shoferët dhe 55.7 për qind te pasagjerët.
Burimi: www.albeu.com









