Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Rritja e çmimeve sjell 5.4 miliardë lekë shtesë në buxhetin 2027

Rritja e çmimeve sjell 5.4 miliardë lekë shtesë në buxhetin 2027
Foto: albeu.com

Rritja e çmimeve po bëhet një burim i konsiderueshëm i të ardhurave shtesë për buxhetin e shtetit. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, indeksimi me inflacionin prej 2.1% do të sjellë rreth 5.4 miliardë lekë (rreth 58 milionë euro) të ardhura shtesë nga tatimet dhe doganat, kryesisht përmes TVSH-së dhe efektit të ndryshimit të çmimeve në vlerën e importeve.

Si ndikon TVSH-ja te arka e shtetit

Meqenëse TVSH-ja llogaritet si përqindje e çmimit, çdo rritje e çmimit rrit edhe shumën e tatimit që paguajnë qytetarët për të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh. Kështu, arka e shtetit arkëton më shumë, edhe kur konsumi nuk rritet.

Sipas dokumentit të parashikimit të të ardhurave për vitin 2027, të ardhurat nga tatimet dhe doganat pritet të arrijnë 583.5 miliardë lekë, nga 536.2 miliardë lekë që është plani i vitit 2026. Diferenca prej rreth 46.9 miliardë lekësh përfaqëson një rritje prej 8.7%. Nga llogaritjet e këtyre shifrave rezulton se rreth 11.5% e të ardhurave shtesë të parashikuara për vitin e ardhshëm do të vijnë nga efekti i rritjes së çmimeve.

Ndikimi te familjet

Inflacioni, që rëndon mbi fuqinë blerëse të familjeve, sjell njëkohësisht më shumë të ardhura për arkën e shtetit. Efekti është veçanërisht i ndjeshëm te produktet dhe shërbimet që konsumohen rregullisht, për të cilat familjet kanë më pak mundësi të reduktojnë blerjet.

Burimet e të ardhurave shtesë

Nga shtesa e përgjithshme e të ardhurave, rreth 13.3 miliardë lekë pritet të vijnë nga rritja ekonomike, e cila në llogaritjen e Ministrisë së Financave është marrë në masën 2.73%. Efekti i indeksimit me inflacionin prej 2.1% llogaritet në 5.4 miliardë lekë. Të marra së bashku, rritja ekonomike dhe inflacioni pritet të sjellin rreth 18.8 miliardë lekë të ardhura shtesë, ose 40% të gjithë rritjes së planifikuar të arkëtimeve nga tatimet dhe doganat.

Ndryshe nga rritja ekonomike, e lidhur me zgjerimin e aktivitetit prodhues, konsumit dhe të ardhurave, inflacioni mund ta rrisë arkëtimin nominal edhe pa një shtim të sasive të mallrave dhe shërbimeve që qarkullojnë në ekonomi. Për buxhetin, kjo krijon një burim shtesë financimi, ndërsa për familjet do të thotë që një pjesë më e madhe e shpenzimeve të tyre shkon për të përballuar çmime më të larta.

Masat fiskale dhe administrimi tatimor

Përveç efektit të çmimeve dhe rritjes ekonomike, qeveria parashikon të sigurojë të ardhura shtesë edhe përmes masave fiskale dhe përmirësimit të administrimit tatimor. Masat e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave pritet të kontribuojnë me rreth 10 miliardë lekë në vitin 2027. Strategjia synon zgjerimin e bazës tatimore, kufizimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, përmirësimin e mbledhjes së detyrimeve dhe rritjen e efektivitetit të administratës tatimore.

Një shumë tjetër prej 4.4 miliardë lekësh parashikohet nga masat fiskale buxhetore të vitit 2027, ndërsa masat e ndërmarra në vitet e mëparshme pritet të japin një efekt shtesë prej 1.4 miliardë lekësh. Ministria e Financave ka përfshirë gjithashtu rreth 12.8 miliardë lekë nga korrigjime të bazuara në faktorë të tjerë.

/Monitor

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha