Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Taksistët protestojnë në Tiranë për çmimin e karburantit

Taksistët protestojnë në Tiranë për çmimin e karburantit
Foto: top-channel.tv

Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës kanë paralajmëruar përshkallëzim të lëvizjes sindikale, nëse institucionet nuk marrin masa për plotësimin e kërkesave të tyre.

Teksa kanë dalë në protestë këtë të mërkurë, sindikata ngre shqetësimin për situatën në sektorin e transportit taksi. Ata theksojnë se shtimi i pakontrolluar i numrit të mjeteve të licencuara, prania e automjeteve të palicencuara, çmimi i lartë i karburantit, taksat dhe tarifat e parkimit kanë ulur ndjeshëm të ardhurat e taksistëve.

Përfaqësuesit e sindikatës bëjnë me dije se kanë kërkuar zgjidhjen e problematikave përmes dialogut. Ata kanë organizuar një tryezë me përfaqësues të Bashkëqeverisjes, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës, Policisë Rrugore, Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake.

Megjithatë, ata shprehin pakënaqësi për atë që e konsiderojnë mungesë përgjegjësie dhe angazhimi nga ana e Bashkisë së Tiranës në trajtimin e kërkesave të tyre.

Kërkesat e sindikatës drejtuar institucioneve

Sindikata ka bërë publike kërkesat e saj drejtuar institucioneve:

  • Respektimi i tarifave të taksimetrit dhe përcaktimi i kritereve për personat që ushtrojnë shërbimin taksi.
  • Targat, pullat e Bashkisë dhe licencat të jenë në pronësi të personit që ushtron aktivitetin.
  • Largimi nga shërbimi i të gjitha automjeteve që nuk janë të licencuara.
  • Ulja dhe stabilizimi i çmimit të karburantit në përputhje me nivelet e tregut ndërkombëtar, si dhe garantimi i cilësisë së tij.
  • Trajtimi me më shumë përparësi i shërbimit taksi nga organet e qarkullimit rrugor.
  • Përcaktimi i numrit të licencave të taksive në bazë të numrit të banorëve dhe subvencionimi i karburantit, duke qenë se ky shërbim konsiderohet publik.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha