Inflacioni u rrit në 3.4% në muajin e kaluar, pas një ngadalësimi që u regjistrua në gusht dhe shtator. Sipas të dhënave të INSTAT, kontributi më i madh në rritjen e inflacionit ka ardhur nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburantit.
Çmimet e lartë vazhdojnë edhe këtë vit
Familjet po përballen me kosto më të larta për jetesën edhe këtë vit. Sipas raportit të fundit të INSTAT, inflacioni në tetor ishte 3.4%, aq sa ishte edhe në korrik, ndërsa në gusht dhe shtator pati një nivel më të ulët. Këto janë shifrat më të larta të inflacionit që nga janari i vitit 2024, kur filluan të zbuteshin efektet e krizës së çmimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Sipas raportit, kontributi kryesor në shtrenjtimin e muajit të kaluar erdhi nga grupi i ushqimeve me 1.36 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me 0.73 pikë përqindje dhe nga çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, që ndikuan me 0.56 pikë përqindje.
Transporti dhe ushqimet shtrenjtohen më shumë
Në krahasim vjetor me tetorin e 2025-ës, INSTAT thotë se shtrenjtimi më i madh ishte te transporti, me 11.4%, ku ndikim kryesor pati çmimi i hidrokarbureve. Kostot për karburantin u rritën me 13.2% në tetor, ndërsa shërbimi postar shtrenjtohet me 13.6% krahasuar me vitin e kaluar.
Te grupi i ushqimeve, rritja krahasuar me tetorin e vitit të kaluar është 4%. Ndikimi më i madh erdhi nga shtrenjtimi i peshkut me 10.1%, i perimeve me 9.9% dhe i mishit, që kushton 4.7% më shumë se një vit më parë.
Masat qeveritare dhe politika monetare
Për shkak të peshës së lartë që kanë ushqimet në buxhetet e familjeve, rreth 40%, qeveria ka parashikuar uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6% nga 1 janari i vitit që vjen, me qëllim që edhe çmimet të ulen.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka vendosur ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, megjithëse pret që inflacioni të vazhdojë të rritet edhe në 6 muajt e ardhshëm.
Burimi: shqiptarja.com










