Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Biznesmeni serb Vesellinoviç udhëton drejt Turqisë përmes Sarajevës nën sanksione amerikane

Biznesmeni serb Vesellinoviç udhëton drejt Turqisë përmes Sarajevës nën sanksione amerikane
Foto: shqiptarja.com

Zvonko Vesellinoviç, biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili është nën sanksione amerikane për shkak të akuzave për krim të organizuar, ka udhëtuar drejt Turqisë përmes Bosnjë e Hercegovinës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë në Bosnjë.

Sipas burimeve të REL-it, ai u largua nga Bosnja e Hercegovina në orët e hershme të mëngjesit të 11 nëntorit, duke përdorur pasaportë serbe.

Ai fluturoi nga Sarajevo drejt Stambollit.

Arsyet e largimit të tij nga Serbia dhe udhëtimit drejt Turqisë nuk dihen.

Me aq sa dihet, aktualisht ndaj tij nuk ka procedura penale në zhvillim në Serbi.

Largimi i Vesellinoviçit vjen rreth dy javë pas ndryshimit të pushtetit në Serbi, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Megjithëse qeveria e re ende nuk është formuar, policia dhe prokuroria kanë nisur një valë arrestimesh për vepra të ndryshme penale.

Kush është Zvonko Vesellinoviç?

Zvonko Vesellinoviç njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner afarist i Millan Radoiçiçit, organizatorit të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej gati pesë vjetësh, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Megjithatë, autoritetet e deritanishme në Serbi nuk i kanë marrë parasysh sanksionet amerikane dhe kanë vazhduar t’u japin kontrata fitimprurëse kompanive të Vesellinoviçit, të cilat po ashtu janë nën sanksione. Këto kontrata përfshijnë edhe pjesëmarrjen në ndërtimin e rrugëve.

Për çfarë akuzohet Zvonko Vesellinoviç?

Në dokumentin e vitit 2021, me të cilin Shtetet e Bashkuara arsyetuan vendosjen e sanksioneve, Vesellinoviç përshkruhet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Millan Radoiçiç si zëvendësi i tij.

Sipas autoriteteve amerikane, ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti.

Në dokument thuhet se grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandën e drogës, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në skemën e korrupsionit përmenden edhe politikanë, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, Vesellinoviç i ndihmonte gjatë fushatave zgjedhore. Në këmbim, ata e shpërblenin me kontratat më të mira për projekte infrastrukturore.

Nuk është specifikuar se për cilët politikanë bëhet fjalë.

Përveç Shteteve të Bashkuara, Vesellinoviç dhe Radoiçiç janë nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2022, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ndërsa në Serbi këto sanksione nuk kanë sjellë pasoja të dukshme, ato janë ligjërisht të detyrueshme për qytetarët dhe kompanitë amerikane dhe britanike, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me personat e sanksionuar.

Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, i kanë lidhur Vesellinoviçin dhe Radoiçiçin me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviç.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha