Bashkia e Elbasanit do të pajisë me bonus qiraje familjet e prekura në pallatin e shpallur tashmë të pabanueshëm si pasojë e shpërthimit nga rrjedhja e gazit. Në një intervistë për ABC News, kreu i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja, dha informacion mbi hapat që duhet të ndjekin banorët për të përfituar sa më shpejt bonusin.
Kushtet dhe shuma e bonusit
“Ditën e djeshme miratuam bonusin e qerasë për familjet e prekura. Pallati është shpallur i pabanueshëm nga Inspektoriati i Ndërtimit. Pagesa do të nisë sapo ata të pajisen me kontratë të banesës me qira. Për familjet me banesa 1+1 bonusi do të variojë nga 150 -250 mijë lekë, ndërsa për banesat 2+1 nga 250-350 mijë lekë. Sapo të plotësojnë dokumentacionin dhe të paraqesin kontratën e banesës së marrë me qira, do të lëvrohet shuma e bonusit të qerasë.” u shpreh Llatja, ndërsa theksoi se pavarësisht se bonusi është miratuar për një vit, ai garantoi banorët se do të vazhdojë deri në sistemimin e tyre në banesa.
Ekspertiza dhe masat e marra
“Nuk kemi ende një ekspertizë përfundimtare nga Instituti i Ndërtimit. Një ditë më parë janë bërë masat përkatëse dhe më pas do të merret një vendim me specialistët përkatës. Ka pasur angazhim maksimal për përshpejtimin e procedurave. Çdo bashki, në bazë të kuadrit ligjor, ka një shumë për emergjencat civile. Bashkia Elbasan ka një vlerë të konsiderueshme, kemi buxhet të mjaftueshëm për çfarëdo skenari, dhe sigurisht do të kërkohet edhe ndihma e qeverisë qendrore”, shtoi Llatja.
Apel për parandalimin e ngjarjeve
Në vijim, kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e banorëve me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.
“Kemi bërë mbledhje të vazhdueshme me strukturat e zjarrfikësve dhe policisë për verifikimin e ambienteve. Në këtë pallat bombola e gazit ishte në katin përdhes, ndërsa banesa në katin e tretë. Po merren masa për pallatet shumëkatëshe. Kemi vendosur hidrantë për të parandaluar çdo lloj situate problematike, sidomos në lagjet e vjetra të qytetit. Jemi duke punuar për evidentimin e çështjeve specifike. Apelojmë banorët për kujdes: familjet që përdorin gaz për ngrohje apo gatim është mirë të kenë pajisje që aktivizohen kur ka rrjedhje gazi. Ndaj kërkohet bashkëpunim me banorët, por edhe me strukturat tona”, përfundoi ai.
abcnews.al
Burimi: abcnews.al










