Qeveria ka paraqitur një paketë të re fiskale që përmban 9 masa, në një moment kur rritja e çmimeve dhe shqetësimi i qytetarëve për koston e jetesës janë në rritje.
Masat kanë efekte të ndryshme mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Gjashtë nga këto ndërhyrje parashikohet të shtojnë të ardhurat buxhetore me 23,8 miliardë lekë, ndërsa tre masat e tjera pritet të shkaktojnë një reduktim prej 19,7 miliardë lekësh.
Në tërësi, efekti neto i paketës vlerësohet në rreth 4 miliardë lekë të ardhura shtesë, ose afërsisht 42,3 milionë euro.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qëllimi i këtyre masave është zbutja e pasojave sociale të rritjes së kostos së jetesës për familjet shqiptare dhe zvogëlimi i informalitetit në ekonomi.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse paketa do të arrijë të lehtësojë barrën mbi familjet, të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për shërbimet dhe investimet publike, të ruajë konkurrueshmërinë e bizneseve të mëdha dhe të mos rëndojë më tej bizneset e vogla.
Ndryshimet në TVSH dhe shporta ushqimore
Një nga masat kryesore është ulja e TVSH-së për shportën ushqimore nga 20% në 6%. Ky ndryshim pritet të zbatohet për 54 produkte dhe qeveria e shikon si një mjet që mund të ndikojë në uljen e çmimeve.
Sipas relacionit të projektligjit, kjo masë do të zvogëlojë të ardhurat e buxhetit me 12,8 miliardë lekë.
Në të njëjtën kohë, norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, me qëllim që të kompensohet një pjesë e humbjeve të krijuara nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.
Kur këto dy masa llogariten së bashku me rritjen e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, efekti neto në buxhet parashikohet të jetë pozitiv me rreth 1,6 miliardë lekë.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerëson se ndryshimet e normave të TVSH-së mund të kenë fillimisht pasoja negative për konsumatorët.
Sipas tij, do të shtrenjtohen mallrat që nuk përfshihen te produktet ushqimore me normë të reduktuar, si edhe disa shërbime.
“Kalimi i TVSH-së nga 20% në 21% pritet të reflektohet në çmime, të paktën me 1%. Përvoja tregon se rritja e taksave mund të sjellë një rritje të çmimeve edhe më të madhe se ndryshimi i vetë normës tatimore.
Kjo mund të prekë energjinë elektrike, karburantet, ujin, materialet e ndërtimit, veshjet dhe mallra apo shërbime të tjera, ndërkohë që pagat nuk është e thënë të rriten në të njëjtën masë”, shprehet ai.
Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore është kërkuar prej kohësh nga prodhuesit dhe importuesit. Për këtë arsye, Dhamo e konsideron masën pozitive, por thekson se reduktimi i tatimit nuk garanton automatikisht një ulje të çmimeve në të njëjtën përqindje.
Sipas tij, para se të vlerësohet ndikimi i masës duhet analizuar struktura e plotë e kostove të bizneseve që përcaktojnë çmimin përfundimtar.
“Ulja e TVSH-së së mallrave të shportës në 6% është një hap në drejtimin e duhur dhe duhej të ishte ndërmarrë më herët. Kjo ka qenë një kërkesë jo vetëm e bizneseve, por edhe e qytetarëve dhe forcave politike.
Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera, e Shqipërisë dhe studimet e realizuara nga ekspertë vendas e të huaj tregojnë se ulja e taksave indirekte nuk përcillet domosdoshmërisht në çmime me të njëjtën masë si ulja e normës tatimore.
Pra, kalimi i TVSH-së nga 20% në 6% nuk nënkupton se çmimet e produkteve të shportës do të bien me 14%”, argumenton z. Dhamo.
Ai parashikon se çmimet mund të ulen, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë me reduktimin e TVSH-së. Në këtë ndikojnë mënyra se si bizneset e përcjellin uljen e taksës, kostot e transportit dhe energjisë, si dhe ndryshimet në taksimin e mallrave e shërbimeve të tjera përgjatë zinxhirit të furnizimit.
“Disa biznese mund të zgjedhin ta mbajnë një pjesë të përfitimit në marzhin e tyre të fitimit. Në të njëjtën kohë, kostot mund të ndikohen nga rritja e TVSH-së për produkte dhe shërbime të tjera që lidhen me mallrat e shportës, përfshirë transportin dhe energjinë.
Prandaj, çmimi përfundimtar përcaktohet nga një numër faktorësh dhe jo vetëm nga norma e TVSH-së”, thotë ai.
Eksperti i politikave fiskale Sajmir Laçej e sheh gjithashtu pozitivisht uljen e TVSH-së, duke argumentuar se ajo mund të ndikojë në uljen e çmimeve të ushqimeve.
“Kjo është një masë që kërkohet me të drejtë prej vitesh. Argumenti se çmimet përcaktohen vetëm nga oferta dhe kërkesa dhe se ulja mund të mos japë efekt nuk qëndron. Dëshmi janë çmimet në vendet fqinje, ku kjo skemë zbatohet me sukses prej kohësh”, shprehet ai.
Pragu i TVSH-së për bizneset e vogla
Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë te sipërmarrjet e vogla është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së. Pragu vjetor i xhiros propozohet të zbresë nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Sipas relacionit të projektligjit, zgjerimi i skemës synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, rritjen e bazës së tatueshme, si dhe përafrimin me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e Bashkimit Europian.
Të ardhurat shtesë të parashikuara nga kjo masë janë rreth 4,5 miliardë lekë.
Subjektet që deri tani kanë ushtruar aktivitet jashtë skemës së TVSH-së, por që do të përfshihen për shkak të pragut të ri, duhet të ndryshojnë mënyrën e faturimit, të mbajnë evidenca të reja dhe të kryejnë deklarimet tatimore përkatëse.
Gjithashtu, ato do të duhet të rishikojnë kontratat me furnitorët dhe të përcaktojnë trajtimin e mallrave që do të kenë në gjendje në momentin kur të hyjnë në skemën e TVSH-së.
Sajmir Laçej i konsideron shpenzimet administrative të bizneseve të vogla si një “taksë të fshehtë”. Ai propozon që administrata tatimore të ofrojë pa pagesë shërbime për deklarimet fiskale, veçanërisht për bizneset e reja dhe sipërmarrjet e vogla.
“Përmbushja e detyrimeve të deklarimit krijon një kosto që biznesi e paguan për zyrat kontabël, sidomos kur bëhet fjalë për subjektet e detyruara të deklarojnë TVSH-në.
Ulja e pragut nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit shoqërohet me shpenzime të reja, ndaj administrata tatimore duhet të ofrojë shërbime falas”, argumenton z. Laçej.
Disa ekspertë të ekonomisë dhe anëtarë të Këshillit Tatimor paralajmërojnë se kjo ndërhyrje mund të vështirësojë veprimtarinë e bizneseve të vogla dhe të ndikojë në planet e tyre për investime.
Shqetësimi lidhet kryesisht me zbatimin e menjëhershëm të ndryshimit dhe me kohën e kufizuar në dispozicion për përgatitje.
Sipas Sotiraq Dhamos, përfshirja e më shumë subjekteve në skemën e TVSH-së do të sjellë kosto administrative dhe mund të ndikojë në çmimet për konsumatorët. Në disa raste, rritja e çmimeve mund të jetë e konsiderueshme, në varësi të mënyrës se si bizneset zgjedhin ta përballojnë barrën e re tatimore.
“Ulja e kufirit të regjistrimit në 5 milionë lekë prek si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.
Subjektet që deri tani kanë operuar pa TVSH, me xhiro deri në 10 milionë lekë, do të duhet të regjistrohen në skemë, të mbajnë evidenca të reja, të deklarojnë detyrimet dhe të ndryshojnë kontratat me furnitorët.
Këto janë detyrime që gjenerojnë kosto të vazhdueshme. Po ashtu, bizneset duhet të vendosin se si do të trajtojnë mallrat që kanë në magazinë ose në gjendje”, shprehet z. Dhamo.
Ai shton se disa tregtarë mund ta kalojnë te konsumatori një pjesë të kostos së re, në vend që ta mbulojnë përmes marzhit të fitimit. Për pasojë, përfshirja në skemën e TVSH-së mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.
“Një njësi e vogël tregtare që deri tani ka shitur pa TVSH mund të rrisë çmimet pas regjistrimit në skemë. Në raste të caktuara, rritja mund të arrijë deri në 20%, ndërsa në raste të tjera mund të jetë më e ulët. Gjithçka varet nga struktura e kostove, marzhi i fitimit dhe mënyra se si subjekti e përballon ndryshimin”, argumenton ai.
Një problem tjetër mund të jetë shtimi i bizneseve me TVSH të kreditueshme. Nëse rimbursimi nuk kryhet në kohë dhe skema nuk bëhet më efikase, bizneset e vogla mund të përballen me vështirësi në likuiditet.
Dhamo nuk mendon se masa do të shkaktojë domosdoshmërisht mbylljen ose falimentimin e subjekteve, por paralajmëron se disa prej tyre mund të përballen me probleme të veçanta financiare dhe administrative.
Për këtë arsye, ai sugjeron që pragu i regjistrimit në skemën e TVSH-së të ulet gradualisht, nga 10 milionë në 5 milionë lekë, në mënyrë që bizneset të kenë kohë të përshtaten.
“Koha dhe mënyra e ndërhyrjes nuk janë të përshtatshme dhe procesi duket i nxituar. Pragu duhet të ulet me faza.
Hapi i parë mund të jetë kalimi nga 10 milionë në 8 milionë lekë, me zbatim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ose pas një periudhe përgatitore prej një viti”, thotë z. Dhamo.
Sipas tij, një zbatim i tillë do ta lehtësonte administrimin e masës dhe do t’u jepte sipërmarrjeve kohë për të përmbushur kërkesat e reja.
“Në fazën e parë do të përfshihej një numër më i vogël biznesesh dhe subjektet do të kishin mundësi të përgatiteshin. Më pas, në vitin 2029, pragu mund të ulej në 5 milionë lekë, madje mund të shqyrtohej edhe një reduktim i mëtejshëm”, shprehet ai.
Tatimi mbi dividentin dhe taksimi i automjeteve
Paketa fiskale parashikonte fillimisht
Burimi: www.albeu.com










