Ekspertët ekonomikë kanë vlerësuar se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon sidomos qytetarët me të ardhura të ulëta, duke u kërkuar institucioneve të ndërmarrin masa për të zbutur ndikimin e tij në jetesën e njerëzve dhe në ekonominë e vendit.
Ata kanë identifikuar varësinë e lartë nga importi, kostot e energjisë elektrike dhe të transportit, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së tregut si faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Shqetësimi për qytetarët me të ardhura të ulëta
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për Ekonomia Online se kjo normë është shqetësuese, sidomos për qytetarët që varen nga pagat dhe të ardhurat e ulëta, duke theksuar se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta frenuar rritjen e çmimeve.
“Norma e inflacionit e publikuar nga Agjencia e Statistikave është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, sidomos për kategoritë që varen nga buxheti i Republikës së Kosovës ose që marrin paga në nivelin aktual. Një normë kaq e lartë, dhe dyfishimi në krahasim me rajonin, sipas mendimit tim, është shqetësuese sepse ndikon jashtëzakonisht shumë te qytetarët me të ardhura të vogla. Prandaj është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur për ta ulur këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve. Kosova po ballafaqohet me disa faktorë, ndër to varësinë nga importi. Shumicën e produkteve Kosova i importon dhe ndikohet nga tregjet ndërkombëtare dhe krizat e ndryshme”, tha ai.
Mungesa e mbikëqyrjes së tregut
Sipas Beqirit, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e çmimeve është mungesa e mbikëqyrjes së tregut. Ai tha se Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka bordin e plotë dhe pothuajse nuk ua raporton më punën Kuvendit.
“Pastaj ka mosmbikëqyrje të tregut nga agjencia që mbikëqyr konkurrencën. Siç dihet, ajo nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nuk ka bord të plotë. Për pasojë, shumë tregtarë pa përgjegjësi po e shfrytëzojnë situatën dhe i rrisin çmimet pa mbikëqyrje institucionale. Këta faktorë duhet të parandalohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kostot e energjisë dhe transportit
Beqiri ka veçuar edhe koston e energjisë elektrike dhe të transportit si faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Ai ka kërkuar uljen e kostos së energjisë dhe mbështetje për bizneset prodhuese, në mënyrë që të zvogëlohet varësia nga importi.
“Një nga faktorët kryesorë të inflacionit është kostoja e energjisë elektrike, që tashmë ka arritur rekord. Transporti varet nga bizneset, dhe rritja e çmimeve të transportit ose të derivateve dhe energjisë elektrike i shtohet çmimeve, ndërsa barra kryesore bie mbi konsumatorin kosovar. Ky është një zinxhir që përfundon te xhepi i qytetarit. Përveç statistikave të bukura dhe fjalimeve për punësime rekorde dhe investime, në realitet rreth 25.000 familje përballen me mbijetesë, dhe rreth 100.000 qytetarë, ose 1/3 e popullsisë, varen nga ndihmat e shtetit. Prandaj duhet të ndërmerren masa, sidomos për uljen e kostos së energjisë elektrike dhe për mbështetjen e bizneseve prodhuese, që të zvogëlohet pak varësia nga importi. Kosova po thyen çdo ditë rekord në import dhe varet kryesisht nga krizat ndërkombëtare, ndërsa shteti nuk ka ndihmuar mjaftueshëm as qytetarët, as bizneset”, tha ai.
Varësia nga importi dhe roli i qeverisë
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka shprehur shqetësimin për ndikimin e inflacionit në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai tha se inflacioni nuk duhet parë vetëm si shifër statistikore, por edhe përmes ndikimit që ka në jetën e përditshme.
“Shqetësimi im më i madh është që statistikat japin rezultate të sakta, por inflacioni nuk është vetëm një numër, por ajo që e përjeton qytetari dhe ajo që ndikon te ekonomia. Kosova sot është një shtet i varur nga importi, dhe parametrat ekonomikë janë në një gjendje jo të lakmueshme. Në vend që të jemi shoqëri eksportuese dhe prodhuese, jemi shtet i varur nga importi, dhe kjo varshmëri po e ngulfat ekonominë”, tha ai.
Gërxhaliu theksoi se qeveria, edhe pse nuk e krijon drejtpërdrejt inflacionin, duhet të gjejë mekanizma për ta luftuar atë. Si shembuj ai përmendi manovrimin e akcizave për produkte strategjike, ose përgjysmimin apo ngrirjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet esenciale.
“Qeveria nuk krijon inflacion, por duhet të gjejë mekanizma për ta luftuar atë. Manovrimi i akcizës në produkte strategjike, ose përgjysmimi apo ngrirja e TVSH-së për produktet esenciale, mund të ndihmonte shportën e qytetarit. Nuk mund të jetohet nga ndihmat sociale; duhet të jemi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik, i cili duhet të përfshijë në partneritet sektorin privat, sidomos atë prodhues. Nuk ka zhvillim ekonomik pa dialog të mirëfilltë me sektorin privat, dhe kjo i mungon Kosovës”, tha ai.
Të dhënat zyrtare
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor 2026 ishte 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Në shtator, kjo normë kishte arritur në 7.8 për qind.
Sipas ASK-së, për tetorin 2026, rritja vjetore e çmimeve në transport ishte 21.5 për qind, ndërsa në kategorinë e strehimit, ujit, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse ishte 9.7 për qind. Rritje u regjistrua edhe te pijet alkoolike dhe duhani, me 5 për qind, si dhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 4.5 për qind.
Burimi: www.gazetaexpress.com









