Me rastin e vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, sot, e diel, në Llapushnik të Drenasit do të mbahet një akademi përkujtimore që fillon në orën 14:00.
Në akademi do të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, historianë, artistë dhe anëtarë të familjes Jashari, transmeton KosovaPress.
Fjalët përshëndetëse dhe kumtesat
Fjalë përshëndetëse para të pranishmëve do të mbajnë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vikari ipeshkvor në Llapushnik, Don Anton Ukaj, si dhe një përfaqësues nga familja Jashari.
Në kuadër të akademisë, kumtesa do të mbajnë historiani Paulin Zefi, shkrimtari Ndue Ukaj dhe profesori Blerim Latifi, të cilët do të trajtojnë rëndësinë historike dhe kombëtare të figurave që do të përjetësohen përmes busteve.
Programi artistik dhe ceremonia
Programi parasheh edhe pjesë teatrale nga aktori Xhevat Limani, si dhe interpretime muzikore nga tenori Shkodran Tolaj, sopranoja Besiana Qani Mehmeti dhe pianistja Magdalena Sedaj. Akademinë e moderon gazetari Nikollë D. Ukaj.
Pjesa qendrore e aktivitetit do të jetë zbulimi solemn i busteve të Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, ceremoni që do të shoqërohet me një program muzikor nga tenori Shkodran Tolaj. Aktiviteti do të përmbyllet me një aperitiv për të pranishmit.
Burimi: www.gazetaexpress.com









