Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Greva bllokon trenat në Kosovë, sindikata kërkon rritje pagash

Greva bllokon trenat në Kosovë, sindikata kërkon rritje pagash
Foto: abcnews.al

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë këtë të hënë që nga ora 8.00, si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Greva përfshin gjithë territorin e Kosovës.

Faza e parë e grevës

Kjo është faza e parë e grevës, e cila është organizuar pas mungesës së reagimit nga qeveria ndaj kërkesave të punëtorëve.

Kreu i sindikatës ka paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve hekurudhore do të vazhdojë derisa bordi të marrë një vendim me shkrim për kërkesat e punëtorëve.

“Kjo është faza e parë e grevës. Nuk kemi dashur ta organizojmë, por kemi qenë të detyruar, sepse para dy javësh kemi mbajtur një protestë paralajmëruese për të sensibilizuar opinionin, bordin, menaxhmentin dhe qeverinë për kërkesat tona të drejta dhe ligjore. Deri më sot ato nuk kanë sjellë asnjë efekt, dhe nuk kanë dhënë asnjë shenjë se janë të gatshëm të lëvizin diçka. Prandaj sot kemi filluar grevën, dhe ajo është në gjithë territorin e Kosovës.”

Shkaqet e pakënaqësisë

Pakënaqësitë janë shtuar pas rritjes së pagës minimale në 500 euro, nga korriku i këtij viti, pasi pagat e punëtorëve të tjerë nuk janë rritur në mënyrë proporcionale.

Shërbimet e kufizuara

Protesta e gjen transportin hekurudhor të udhëtarëve në Kosovë me shërbime të kufizuara. Aktualisht, linja Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas është e vetmja që funksionon për udhëtarët, me nga dy udhëtime në ditë në secilin drejtim.

Interesi në rritje për trenat

Sipas të dhënave të Trainkosit, gjatë vitit të kaluar, mbi 88 mijë udhëtarë shfrytëzuan transportin hekurudhor, rreth 20 për qind më shumë se në vitin 2024, çka tregon interesimin e shtuar të qytetarëve për këtë shërbim.

Probleme infrastrukturore dhe investime

Ndërprerja e qarkullimit të trenave vjen në një kohë kur sektori hekurudhor i Kosovës vazhdon të përballet me probleme infrastrukturore dhe vonesa në realizimin e investimeve.

Një nga projektet më të mëdha është rehabilitimi i Linjës 10, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut në jug dhe Serbinë në veri, me synimin për të përmirësuar transportin dhe lidhjet hekurudhore rajonale. Megjithëse punimet kanë nisur prej vitesh, projekti ende nuk ka përfunduar.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha