Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Reshje intensive, alarm për përmbytje dhe rrëshqitje dherash

Reshje intensive, alarm për përmbytje dhe rrëshqitje dherash
Foto: shqiptarja.com

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, gjatë pasdites së sotme reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Në këto qarqe reshjet do të shoqërohen edhe me shtrëngata, ndërsa në Vlorë parashikohen reshje me intensitet mesatar. Në pjesën tjetër të vendit, reshjet pritet të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.

Rrezik për përmbytje të lokalizuara ka edhe në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve. Për të martën, 17 nëntor, parashikohen reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit.

Temperaturat do të luhaten nga 14 deri në 19 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 20 gradë në zonat e ulëta dhe nga 6 deri në 15 gradë në zonat malore. Era do të fryjë me shpejtësi mesatare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet të jetë deri e fortë.

Moti i keq në Lezhë: disa rrugë përmbyten, situata normalizohet shpejt

Lezha u përfshi këtë mbrëmje nga reshje të rrëmbyeshme shiu, të cilat edhe pse zgjatën vetëm pak minuta, shkaktuan grumbullim të ujit në disa akse rrugore të qytetit.

Probleme u evidentuan pranë Drejtorisë së Tatimeve, në pellgun pranë çerdhes së qytetit dhe në rrugën e Shëngjinit. Ndërkohë, ndryshe nga situatat e mëparshme, blloku i 11Janarit dhe bulevardi “Gjergj Fishta” nuk patën probleme me përmbytjet.

Reshje intensive, alarm për përmbytje dhe rrëshqitje dherash

Pas ndërprerjes së reshjeve intensive, uji u tërhoq brenda pak minutash përmes rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha, ku së fundmi janë kryer ndërhyrje permes projektit te kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Situata u normalizua shpejt, ndërsa qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e qytetarëve vijuan pa pengesa të tjera.

Era e fortë dëmton çatinë e urës lidhëse në Pukë: probleme edhe me energjinë elektrike

Moti i keq dhe era e fortë kanë dëmtuar një pjesë të çatisë së urës lidhëse mes urgjencës dhe spitalit të Pukës.

Sipas shërbimit spitalor, ura vijon të jetë në funksion dhe shërbimi ofrohet normalisht.

Ndërkohë, në disa fshatra raportohen probleme me ndërprerjet e energjisë elektrike.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha