Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa Lindore ishte vendosur nën sferën sovjetike, me garnizone të fuqishme të Ushtrisë së Kuqe në shumicën e vendeve. Qeveri pro-sovjetike ishin vendosur në pushtet me zgjedhje gjysmë-demokratike ose drejtpërdrejt të pandershme.
Ndarja ishte nënkuptuar në një nga takimet e Aleatëve të mëdhenj në Jaltë, por Moska e kishte bërë shumë shpejt realitet dhe tani shpresonte që në sferën e saj të futej edhe Greqia, në fund të luftës së saj civile, si dhe vende si Italia, e pse jo edhe Franca, nëse partitë komuniste fitonin në këto vende.
Sfida e Italisë dhe tema e shqiptarëve
Për Italinë, sfida e madhe ishte viti 1948. Partia Komuniste pretendonte fitoren. Në këtë klimë, Shqipëria papritmas u bë temë debatesh elektorale. Më konkretisht, tema ishte fati i italianëve të mbetur në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre ishin kthyer, por ata që ishin specialistë, sidomos në fushën e ndërtimeve dhe transportit, qeveria shqiptare refuzonte t’i kthente.
Pesë vjet pas kapitullimit të Italisë fashiste, këta njerëz, që ishin sjellë si ushtarë ose si punonjës, ëndërronin të ktheheshin në atdhe. Dihet që shqiptarët i trajtuan njerëzisht italianët, ndonëse kishin ardhur si pushtues ose së bashku me pushtimin.
Njerëzisht, në kuptimin që nuk i vranë për hakmarrje; u dhanë strehë dhe i mbajtën me bukë. Nga ana tjetër, ata u përdorën nga shqiptarët si punëtorë pa pagesë në punët e shtëpive, të fermave, të firmave etj. Italianët ishin gjithsesi mirënjohës për këtë mundësi.
Shtetëzimi dhe nevoja për specialistë
Në fund të luftës, ashtu si me shumë prona private, edhe italianët “u shtetëzuan”. Qeveria e komunistëve zbuloi se kishte nevojë të madhe për specialistët e sjellë gjatë luftës. Shteti i ri ishte i mbushur me armëmbajtës, të gatshëm për të mbivendosur “vullnetin e popullit”, por nuk kishte njerëz që mund të hartonin planet e mëdha të rindërtimit të vendit, nga infrastruktura te ndërtesat e pushtetit të ri.
Në fusha të ndryshme të prodhimit dhe të shërbimeve, ekspertët italianë të sjellë nga Fashizmi ishin një pasuri e madhe për komunistët. Ata i shfrytëzuan me zell, në të njëjtën mënyrë si përqafuan arkitekturën fashiste që Italia kishte lënë, për të cilën ishin ankuar prej vitesh.
Kapitulli i parë i librit “From Stalin to Mao” të Elidor Mëhillit ka një përmbledhje të mirë të kësaj dukurie, të përshkruar më parë në një sërë librash e studimesh italiane të asaj kohe.
Presioni publik dhe zgjidhja e pjesshme
Vajtimi i familjeve në Itali që ishin ndarë për së gjalli ishte bërë tashmë çështje publike. Nga një anë mund të fajësohej qeveria italiane dhe kryeministri i Demokracisë Kristiane, Alcide De Gasperi, që kishin dështuar të bindnin Shqipërinë të kthente këta civilë të pafajshëm.
Nga ana tjetër, De Gasperi dinte ta kthente mbrapsht debatin, sepse në fund të fundit, miqtë e komunistëve italianë ishin komunistët e Shqipërisë, ata që po i mbanin italianët si pengje kundër vullnetit të tyre.
Në fund, Partia Komuniste Italiane, që si ajo e Shqipërisë po vepronte nën petkun e Frontit Demokratik (Popullor), vlerësoi se debati për këtë problem po ia dëmtonte imazhin te populli. Kështu ndërhyri pranë komunistëve shqiptarë me lutjen që të lironin italianët dhe t’i lejonin të ktheheshin në atdhe.
Në këto kushte, Enver Hoxha vendosi të lironte një grup prej tyre, në shenjë simbolike, që pa e zgjidhur problemin, t’i ndihmonte gjithsesi Partisë Komuniste fqinje në zgjedhjet italiane. (Enver Hoxha në atë kohë, në bashkëpunim me jugosllavët e Titos dhe për kënaqësinë, por pastaj për bezdinë e Stalinit, ndihmonte edhe komunistët grekë në luftën e tyre civile përtej kufirit.)
Ishin kohë përmbysjesh të mëdha dhe nuk ishte hera e parë që Shqipëria e vogël do të përfshihej në to. Nuk e di sa italianë u liruan më në fund. Në shënimet në fund të librit të Mëhillit përmendet një takim mes Eugenio Reales, të Partisë Komuniste Italiane, me ambasadorin shqiptar në Paris, për të diskutuar këtë temë. Por puna e italianëve të ngecur në Shqipëri nuk u zgjidh në atë vit.
Zgjedhjet e vitit 1948 dhe e ardhmja e Italisë
Ajo që u zgjodh në atë vit ishte e ardhmja e Italisë, që i shpëtoi sferës së Moskës dhe zgjodhi rrugën e demokracisë kristiane dhe kapitalizmit. Kjo rrugë do të sillte më vonë një bum ekonomik, që do ta katapultonte në grupin e shtatë ekonomive më të fuqishme të botës.
Në atë kohë, diskutimet ishin të ashpra dhe plot akuza të rënda mes të dy palëve. “Lajmet e rreme” të sotme s’janë asgjë përballë thashethemeve të tmerrshme lokale të kohës, që sprovonin karakteret e politikanëve. Batuta ime e preferuar nga ajo fushatë elektorale është: “Në kutinë e votimit, Stalini nuk të sheh se ç’po bën, por Zoti po”.
Frika nga Zoti e gërshetuar me frikën nga Stalini bëri që Demokracia Kristiane të fitonte zgjedhjet dhe pastaj të mbetej në pushtet, në një mënyrë apo një tjetër, për gati gjysmë shekulli me radhë, bashkë me të këqijat që vijnë nga një qëndrim kaq i gjatë në pushtet.
Sot, kur bota po i afrohet përsëri një udhëkryqi tjetër të madh historik, të duket habi që liberalizmi është përsëri në modë. Bota rrotullohet rreth diellit, kurse historia e njerëzimit, mesa duket, rreth vetes./ Memorie al
Burimi: shqiptarja.com










