Banka më e madhe e Gjermanisë ka edhe një histori të errët. Tani kjo e kaluar po e ndjek sërish: sipas një raportimi mediatik, një rrjedhje e të dhënave ka nxjerrë në dritë një sërë praktikash të dyshimta biznesi në bankë.
Deutsche Bank po përballet sërish me akuza për praktika të dyshimta biznesi. Bëhet fjalë për marrëdhëniet me klientë të diskutueshëm nga pikëpamja ligjore, zbatimin e mangët të masave kundër pastrimit të parave, si dhe dështime shumëvjeçare në kontrollet e brendshme.
Sipas deklaratave të tyre, media ndërkombëtare kanë analizuar më shumë se 15 milionë dokumente të brendshme të koncernit të listuar në indeksin DAX me seli në Frankfurt. Mes tyre ndodhen mbi nëntë milionë e-maile, si dhe raporte, prezantime dhe shënime kalendarike. Të dhënat u janë vënë në dispozicion gazetarëve. Në analizimin e tyre morën pjesë, ndër të tjera, revista „Der Spiegel”, emisioni televiziv „ZDF frontal”, „The New York Times” dhe britanikja „Financial Times”.
Reagimet e para të tregut
Zbulimi i rrjedhjes së të dhënave ushtroi të martën (17.11.2026) presion të madh mbi aksionet e bankës. Ato ranë deri në 6,2 për qind, duke zbritur përkohësisht në 30,88 euro dhe duke e bërë kështu bankën humbësin më të madh në indeksin DAX.
„Në një periudhë afatshkurtër, zbulimet nuk e ndihmojnë aspak kursin e aksionit”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Jochen Stanzl, kryeanalist i tregjeve në Consorsbank. „Reagimi i parë i investitorëve, kur ka pasiguri, është shitja dhe ky rast nuk bën përjashtim.”
Megjithatë, sipas Stanzl, aktualisht nuk është e mundur të parashikohet se si do të zhvillohen raportimet mediatike dhe „nëse nga disa prej informacioneve të përmendura do të lindin rreziqe të tjera ligjore apo rregullatore për bankën”.
Banka u përpoq ta minimizonte çështjen dhe deklaroi se nuk pret pasoja të konsiderueshme financiare nga rrjedhja e të dhënave. Rastet në fjalë datojnë „shumë vite më parë”. Ato ishin shqyrtuar në atë kohë dhe banka kishte bashkëpunuar ngushtë me autoritetet rregullatore. Nën drejtimin e kreut të bordit drejtues Christian Sewing, banka ka kaluar nëpër „një transformim rrënjësor”, deklaroi institucioni financiar.
Çfarë ndodhi me ndryshimin e kulturës së korporatës?
Edhe pse banka publikisht shfaqet e qetë, të dhënat që kanë dalë tani në dritë mund të përmbajnë ende informacione me pasoja serioze. Gjatë viteve të fundit, banka me seli në Frankfurt është akuzuar disa herë për sjellje të dyshimta, madje edhe kriminale, dhe është përfshirë në një numër të madh procesesh gjyqësore. Të dhënat e zbuluara tani mund të hedhin një dritë të re edhe mbi këto procese të mëparshme.
Deutsche Bank nuk e mohon vërtetësinë e dokumenteve të publikuara deri tani, por deklaroi se rastet që aktualisht janë në qendër të raportimeve mediatike datojnë, „në disa raste, madje dy dekada më parë”. Nën drejtimin e Christian Sewing, i cili është në krye të koncernit që prej vitit 2018, banka jo vetëm që ka ndryshuar rrënjësisht, por nga viti 2019 deri në vitin 2025 ka investuar shtatë miliardë euro për përmirësimin e kontrolleve të brendshme. Megjithatë, Deutsche Bank është kontrolluar në mënyrë të përsëritur nga prokuroria në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimet për pastrim parash.
Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? „Der Spiegel” raporton për modele që përsëriteshin vazhdimisht. Sipas revistës, paralajmërimet dhe shqetësimet e brendshme shpërfilleshin, me qëllim që të vazhdonin marrëveshje problematike ose të krijoheshin marrëdhënie të reja me klientë.
Dokumentet tregojnë, ndër të tjera, se si institucioni financiar kërkonte të tërhiqte si klientë oligarkë dhe se si synonte të zgjeronte biznesin e tij në Rusi vetëm pak para fillimit të luftës në Ukrainë. Në të dhëna gjenden gjithashtu hollësi të reja mbi marrëdhënien shumëvjeçare të biznesit me autorin e dënuar të krimeve seksuale Jeffrey Epstein, si dhe mbi marrëdhëniet e bankës me presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump.
Dokumentet pretendohet të tregojnë gjithashtu se si banka hartonte modele të diskutueshme të optimizimit tatimor për klientë të pasur. Ato ofrojnë gjithashtu informacione mbi marrëveshje në fushën e armatimeve me shtete problematike, angazhimin e bankës me klientë nga sektorë që dëmtojnë klimën, si dhe vazhdimin e mbajtjes së llogarive për donacionet e AfD-së, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme.
Shqetësim në bursa
Pasojat potencialisht të rënda të rrjedhjes së të dhënave për Deutsche Bank nuk janë shqetësimi i vetëm i investitorëve në bursa. Tregjet vazhdojnë të jenë të përqendruara edhe te pasojat e aferës që lidhet me prodhuesin e çipave Nvidia, i cili në mbrëmjen e 17 marsit, sipas orës amerikane, publikon raportin e tij tremujor.
„Përveç shifrave dhe parashikimeve, investitorët po merren me një ndryshim të mundshëm strategjie dhe me pyetjen nëse Jensen Huang mund të rikthehet në krye të kompanisë”, citoi Reuters Jürgen Molnar nga RoboMarkets.
Bashkëthemeluesi i Nvidia-s, Huang, dha dorëheqjen nga posti i CEO-s javën e kaluar si pasojë e një afere të dyshuar spiunazhi. Disa kanë frikë se bumi i inteligjencës artificiale (IA) mund të humbasë vrullin, pasi me largimin e Huang skena ka humbur një nga mbështetësit më të fuqishëm të kësaj teknologjie të së ardhmes.
Burimi: www.balkanweb.com










