Rregullorja e re për tarifat e shkëmbimit
Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht rregulloren e re “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”.
Rregullorja e re është përshtatje e direktivës me të njëjtin emër të Bashkimit Evropian, të vitit 2015, dhe ka si qëllim kryesor uljen e komisioneve që bankat u ngarkojnë tregtarëve për pranimin e pagesave me kartë.
Tavanet e reja
Duke filluar nga data 1 janar 2027, ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk mund të aplikojnë tarifë shkëmbimi më të lartë se 0.2% të vlerës së transaksionit, kur ai kryhet me kartë debiti, dhe 0.3% të vlerës së transaksionit, kur ai kryhet me kartë krediti.
Në kuptimin e rregullores, tarifa e shkëmbimit (interchange fee) është një tarifë e paguar për çdo transaksion, direkt ose indirekt, ndërmjet emetuesit dhe pranuesit të përfshirë në një transaksion pagese të bazuar në kartë. Kompensimi neto ose çdo remunerim tjetër i rënë dakord do të konsiderohet pjesë e tarifës së shkëmbimit.
Në terma më të thjeshtë, tarifa e shkëmbimit është tarifa që paguhet nga banka e tregtarit që pranon pagesën te banka që ka emetuar kartën e blerësit, sa herë që konsumatori kryen pagesë duke përdorur një kartë.
Sa janë komisionet sot
Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.
Sipas burimeve nga sektori bankar, aktualisht niveli i tarifave të shkëmbimit mund të vlerësohet mesatarisht afër kufirit prej 1.5%, por ky është një nivel indikativ, sepse shkalla e komisioneve ndryshon sipas llojit të aktivitetit të biznesit.
Megjithatë, tarifat e shkëmbimit nuk janë i vetmi element i komisioneve totale që paguan një tregtar për çdo shitje me kartë. Kjo strukturë përmban edhe dy elementë të tjerë:
- Tarifat e skemës ose të rrjetit (scheme fees): janë tarifa që i marrin direkt kompanitë globale të skemave të pagesave me kartë, si Visa apo Mastercard. Të dyja bankat (ajo lëshuese dhe ajo pranuese) i paguajnë këto tarifa, sepse përdorin rrjetin global për të autorizuar dhe procesuar transaksionin. Janë tarifa të vogla për transaksion, por grumbullohen në vëllime të mëdha.
- Marzhi i bankës së tregtarit (acquirer markup): është pjesa që mban banka e tregtarit, ajo që ka vendosur pajisjen POS ose portën e pagesave online. Kjo tarifë mbulon koston e pajisjes, procesimin teknik dhe rrezikun që merr përsipër banka duke bashkëpunuar me tregtarin.
Duke mbledhur të gjitha zërat e komisioneve bashkë, sot komisioni që një tregtar i paguan bankës për pagesat me kartë mund të arrijë deri në më shumë se 3%, në rastin e pagesave me karta të lëshuara jashtë vendit. Për pagesat me karta të lëshuara nga institucionet vendase, komisionet janë më të ulëta.
Çfarë pritet nga ulja
Vendosja e tavanit për tarifat e shkëmbimit pritet ta ulë ndjeshëm komisionin total.
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i komisioneve mund të ulet deri në 1%. Përfaqësues të sektorit bankar nuk besojnë se ulja mund të arrijë këto nivele, por shohin si një prag më realist kufirin prej 1.5%.
Transparenca për tregtarët
Për transparencë lidhur me ndarjen e llojeve të tarifave që ngarkohen përfituesit të pagesës (tregtarit), rregullorja kërkon që, pas ekzekutimit të një transaksioni individual pagese të bazuar në kartë, ofruesi i shërbimit të pagesave të përfituesit t’i japë përfituesit:
- referencën që i mundëson identifikimin e transaksionit të pagesës me kartë;
- shumën e transaksionit në monedhën në të cilën është kredituar llogaria e pagesës së përfituesit;
- shumën e çdo tarife për transaksionin, duke treguar veçmas tarifën e shërbimit të tregtarit dhe shumën e tarifës së shkëmbimit.
Megjithatë, ky nen i rregullores do të hyjë në fuqi vetëm më 1 janar 2028, për shkak të kohës së nevojshme që bankat dhe skemat e pagesave me kartë kanë për detajimin e të dhënave.
Burimi: shqiptarja.com










