Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë ngritur alarmin për një kërcënim të mundshëm nga Irani, pasi informacione të reja sugjerojnë se Teherani po shqyrton mundësinë e sulmeve në territorin e Shteteve të Bashkuara. Skenarët e dyshuar përfshijnë përdorimin e një bombe radiologjike, të njohur si “bombë e ndyrë”, ose armëve kimike, ndërsa objektiva të mundshëm mund të jenë edhe zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump.
Sipas një raportimi ekskluziv të CNN, të publikuar më 16 nëntor dhe të bazuar në dëshmitë e shtatë zyrtarëve amerikanë të njohur me informacionet e inteligjencës, agjencitë e sigurisë kanë zbuluar sinjale se Irani po shqyrton alternativa për të goditur objektiva brenda SHBA-së.
Shqetësimi është përqendruar veçanërisht te kryeqyteti amerikan, Uashington, pasi dy prej burimeve të cituara nga CNN kanë konfirmuar se informacionet përmbajnë referenca për vendndodhje konkrete dhe objektiva të mundshëm. Këto të dhëna kanë vënë në lëvizje strukturat e sigurisë kombëtare, të cilat kanë nisur të hartojnë plane parandaluese dhe të shqyrtojnë mënyrat për t’iu përgjigjur një skenari të tillë.
Megjithatë, pavarësisht alarmit të ngritur, zyrtarët amerikanë nuk kanë konfirmuar se një sulm është i afërt. Sipas burimeve të CNN, aktiviteti i dyshuar i Iranit mund të jetë një përpjekje për të krijuar disa alternativa veprimi, në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, dhe jo domosdoshmërisht një shenjë se Teherani ka vendosur të ndërmarrë një sulm.
Gjithashtu, brenda strukturave amerikane ekzistojnë pikëpyetje nëse Irani ka personelin, kapacitetet dhe kushtet e nevojshme operacionale për të realizuar një goditje të tillë në territorin amerikan.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar lidhur me informacionet e publikuara, duke deklaruar se administrata po ndjek nga afër çdo sinjal për kërcënime të mundshme. Zëdhënësja Lauren Bis u shpreh se SHBA-ja po monitoron të gjitha rreziqet e mundshme, por theksoi se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.
Një tjetër element që ka shtuar shqetësimin e shërbimeve të sigurisë janë disa komunikime që dyshohet se kanë origjinë iraniane. Në to përmenden materiale të mundshme për prodhimin e bombave, të cilat pretendohet se mund të jenë vendosur paraprakisht brenda Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, besueshmëria e këtyre informacioneve mbetet e diskutueshme edhe mes zyrtarëve amerikanë. Deri më tani nuk është konfirmuar nëse materialet e përmendura ekzistojnë realisht në territorin amerikan dhe as nëse janë ndërmarrë hapa konkretë për përgatitjen e një sulmi.
Çfarë është “bomba e ndyrë” dhe sa e rrezikshme është?
Bomba e ndyrë, e njohur në terminologjinë teknike si pajisje radiologjike shpërndarëse, nuk është një armë bërthamore dhe nuk duhet ngatërruar me bombën atomike.
Ajo përbëhet nga një eksploziv konvencional, i cili shërben për të shpërndarë materiale radioaktive në mjedis. Në momentin e shpërthimit, materiali radioaktiv mund të përhapet në zonën përreth, duke shkaktuar ndotje dhe ekspozim të njerëzve ndaj rrezatimit.
Ndryshe nga një armë bërthamore, bomba e ndyrë nuk prodhon një reaksion zinxhir bërthamor dhe nuk shkakton një shpërthim atomik. Rreziku kryesor lidhet me pasojat e shpërthimit, ndotjen radioaktive, ekspozimin e mundshëm të popullsisë dhe vështirësitë e mëdha që paraqet pastrimi i zonës së prekur.
SHBA përgatitet për skenarë të mundshëm, zhvendoset edhe sekretari i Thesarit
Sipas CNN, informacionet e reja kanë nxitur disa takime mes zyrtarëve të sigurisë kombëtare amerikane gjatë javës së fundit. Qëllimi ka qenë vlerësimi i nivelit të kërcënimit, identifikimi i dobësive të mundshme dhe përcaktimi i kundërmasave në rast se skenarët e raportuar marrin formë konkrete.
Ndërkohë, shqetësimet për sigurinë nuk kanë mbetur vetëm në nivelin e planifikimit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është zhvendosur nga banesa e tij në Uashington në një strukturë banimi brenda një baze ushtarake, me këshillën e Shërbimit Sekret, pas kërcënimeve me vdekje që dyshohet se lidhen me Iranin.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Reuters, e cila raportoi më 13 nëntor se Bessent kishte deklaruar se nuk do të frikësohej nga kërcënimet iraniane. Ai i cilësoi kërcënimet si serioze, ndërsa shprehu shqetësim edhe për publikimin e mëparshëm të fotografive të banesës së tij në Uashington.
Përveç rrezikut të mundshëm në territorin amerikan, CNN raporton se agjencitë e inteligjencës po shqyrtojnë edhe sinjale për mundësinë e përdorimit të armëve kimike kundër trupave amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme.
Kjo ka nxitur një tjetër proces përgatitjesh, që përfshin pajisjen dhe trajnimin e personelit diplomatik dhe të inteligjencës amerikane në rajon për t’u përballur me një sulm të mundshëm kimik. Disa zyrtarë kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje nëse trupat amerikane kanë pajisjet dhe përgatitjen e mjaftueshme për të përballuar një skenar të tillë.
Nga ana tjetër, misioni diplomatik i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka hedhur poshtë akuzat për përdorimin e mundshëm të armëve kimike. Në reagimin e tij, Teherani i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe të fabrikuara, duke deklaruar se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm në çdo rrethanë.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë përplasjesh të forta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, përshkallëzimi ushtarak dhe bllokada ekonomike amerikane ndaj Iranit kanë rënduar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa negociatat për t’i dhënë fund konfliktit vijojnë të jenë të bllokuara.
Në këtë klimë, autoritetet amerikane po përpiqen të përcaktojnë nëse informacionet e mbledhura nga inteligjenca përfaqësojnë një kërcënim real apo nëse bëhet fjalë për skenarë alternativë që Teherani po shqyrton, pa marrë ende një vendim për t’i vënë në zbatim.
Burimi: lajmifundit.al










