Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk kërkoj mëshirë

Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk kërkoj mëshirë
Foto: euronews.al

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar të dielën në rrjetin social Facebook pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ku u përjashtua nga forumet e partisë. Ajo shprehu qëndrimin se nuk pendohet, nuk gjunjëzohet dhe nuk pret mëshirë nga askush.

Në reagimin e saj, Spiropali thotë se nuk lëkundet nga ndryshimet e pozicioneve dhe se për të vlen drejtësia. Komentet e tjera për zhvillimet brenda partisë i cilësoi si “llafe kafaneje”.

Postimi i plotë i Spiropalit

Sikur çoç më ndodhi

Disa nga ata që më njohin janë të habitur sikur çoç më ndodhi.

U duket sikur më prenë kokën. Mund të jetë e vërtetë, por nuk më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që, kur t’u preh një kokë, u dalin shtatë të tjera.

Megjithatë, sado kokë të preren, një, shtatë apo shtatëmbëdhjetë, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem dhe nuk pres mëshirë nga askush. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston drejtësia, dhe për askënd mëshirë nuk kam.

Për të mos u habitur për atë që ndodh ose nuk ndodh me mua, duhen ditur disa gjëra.

Për shembull, në një kohë tjetër, në një shekull tjetër, kur demokracia ende nuk ishte shpikur, nëse do isha Perandoreshë e Kinës, për ta mbrojtur botën nga shpirtzinjtë, do ndërtoja një Mur Kinez njëqind herë më të gjatë dhe dhjetë herë më të gjerë e më të lartë. Ndërsa po të isha Kleopatra, pa u trembur e pa lëvizur nervi, do dënoja ose do falja kë e meriton, dhe do flija e qetë si qengj, sepse kisha bërë atë që duhej për të mirën e vendit tim, që e dua pafund.

Qëndrimi ndaj mediave dhe ndaj jetës

Unë nuk lexoj as nuk dëgjoj gazeta që kërcënojnë, shkrime që tregojnë përralla, portale që shpifin, televizione që thurin intriga, hajdutë që paraqiten si të ndershëm nëpër banaqe, dhe të tjera gjëra të përkohshme. Në vend të tyre, bëj diçka të thjeshtë dhe madhështore, të përhershme dhe të pavdekshme. Ulem e lexoj libra. Kurrë në kompjuter, vetëm në letër.

Për mua, restoranti është vendi më i papërshtatshëm për të ngrënë. Specialitetet që shërbehen janë më të këqijat. Ajo që pëlqej unë nuk është havjari, as kaviari. Është byreku me spinaq ose hithra në një fshat të Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës apo Labërisë, mu në mes të fshatit, mu nën hijen e lisit të kuvendit. Dhe ajo që pi nuk janë verërat apo shampanja, por uji ose dhalla.

Unë duroj. Rri pa ujë me ditë e me javë si deveja, pres si ariu deri sa të ikë dimri dhe të vijë pranvera.

Jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkëmbinj, pa u frikësuar se do rrëzohem. Nuk rrëzohem e nuk ngjitem nga froni apo kolltuku, gjë që nuk më bën asnjë përshtypje.

Ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo për javë apo muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes.

Ajo që urrej me gjithë shpirt dhe e konsideroj të keqen më të rrezikshme janë hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të zgjuar, evropianë, por që janë tiranë.

Unë jam ajo që fryn erën, sjell shiun, lëshon breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet, nxij ditën, zbardh natën.

Unë jam ajo që mbaj zjarrin të ndezur.

Unë jam ajo që nuk u bëra e tillë, por e tillë isha dhe do jem e tërë që kur linda.

Unë nuk kam një zemër, kam 10 milionë zemra të kuqe të përgjakura, që ua fal të gjitha 10 milionë shqiptarëve kudo që janë. Të rrahin të lira, secila me muzikën e vet, të gjitha bashkë me muzikën më të bukur të botës, atë të dashurisë së pafund për Shqipërinë, prej të cilës presim vetëm një shkelje syri për të bërë gjithçka.

Kjo jam unë.

Të tjerat janë llafe kafaneje.

Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha