Ndoshta është rastësi. Ndoshta jo! Ndoshta është një nga ato herët kur rastësia, për tallje e lojë, vesh kostumin e domosdoshmërisë për të ngatërruar naivët dhe budallenjtë. Por sido qoftë e vërteta, në harkun e më pak se 24 orëve, Belinda Balluku pësoi një sulm të dyfishtë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës i dërgoi një letër me shkrim dore nga burgu, kurse ish-kryetarja e Kuvendit e konsideroi atë si modelin më të keq të qeverisjes së Edi Ramës. Dy socialistët i bashkohen një liste shumë më të gjatë kolegësh në PS, që e konsiderojnë zonjën Balluku si shkaktare të problemeve të tyre.
Në këtë listë kryeson ish-zëvendëskryeministri tjetër socialist, Arben Ahmetaj, dhe një numër mbresëlënës ministrash dhe personazhesh të tjerë të dorës së dytë, që kanë ikur nga detyra po aq befasisht sa edhe janë emëruar. Rastësi apo jo, pa u mbushur 24 orë të tjera, meqë çdo aksion sjell reaksion, kundër familjarëve më të afërt të zonjës Spiropali u regjistrua një çështje penale në SPAK, kurse ndaj Veliajt u ushtrua kontroll jo rutinor në qeli.
Letra e Veliajt dhe deklarata e Spiropalit
Në letrën e tij Veliaj lëndoi sedrën e kryeministrit duke i kujtuar thashethemin e preferuar të Tiranës se ish-zëvendësja e tij vazhdon t’i kontrollojë gjysmën e qeverisë. Kurse Spiropali, duke ruajtur megjithatë kryeministrin, e konsideroi Ballukun si qelizën Alfa të sëmundjes së partisë së saj. Sado të ndryshme këto qëndrime, ato janë si dy përrenj që bashkohen në të njëjtin lumë, rrjedha e të cilit është pothuajse e pamundur të kontrollohet më. Ato e nxorrën zonjën Balluku fiks aty ku ajo nuk donte ta shihte veten, në vitrinën e vëmendjes. Deri më tani, ndryshe nga gjithë socialistët e përballur me drejtësinë, zonja Balluku ka ndjekur një strategji tjetër. Ajo ka zgjedhur të mbyllet në bunkerin e heshtjes për akuzat ndaj saj. Për herë të fundit ka folur ditën që u nda nga vartësit e saj të përlotur në ministri, duke u betuar që nuk kishte as vila dhe as 300 apartamente. Pastaj vetëm ka dëgjuar që të tjerët të flisnin pak apo aspak për të.
Hetimet që ishin sekret publik
Edhe pse hallet e zonjës Balluku me drejtësinë kishin filluar pothuajse tre vjet më parë, ajo që po ndodhte me hetimet ndaj saj ishte sekret publik në Tiranë. Madje edhe vetë opozita e përmendte sipas stinës dhe humorit, por rrallë e kishte pasur target politik, deri në momentin kur në nëntor 2025 Sali Berisha aludoi se në protestat kundër Veliajt, Balluku kishte infiltruar njerëzit e saj.
Target i personalizuar
Ky është sfondi i së shkuarës, por tani diçka thelbësore ka ndryshuar në Tiranë. Prej shumë kohësh në një televizion dhe prej pak muajsh nga një televizion tjetër, Balluku është shndërruar në target të personalizuar. Me mbylljen e hetimeve, rëndimin e akuzave ndaj saj dhe dërgimin e dosjes në gjykatë, por pa masë sigurie, me frikën se do të ketë fraksione të reja hetimesh, Balluku është mes shumë dilemash.
Ndrojë më e madhe ushqehet nga paranoja logjike se diagnoza politike e Spiropalit dhe cfurku inatçor i Veliajt mund të jenë të koordinuar e frymëzuar nga Rama dhe në interes të tij. Gjasat logjike që kjo të ketë ndodhur janë shumë modeste, ndoshta inekzistente, por është e qartë prej kohësh se kryeministri e konsideron një bela të shtuar hallin e Belës së tij. Një numër i paqartë deputetësh që ajo mund të kontrollojë në Kuvend dhe një rrjet i madh drejtorësh kyç që ajo ka nën hyqëm janë, së paku, disa nga shkaqet e kokëdhembjes së zotit Rama. Atij i dhemb koka edhe nga dyshimi cinik nëse kujtimet e kohërave të lumtura, kur dikush bie në fatkeqësi, mund të kthehen edhe kundër tij vetë. Arben Ahmetaj ia ka kujtuar shpesh një gjë të tillë.
Gjurmët e mundshme
Ndrojë tjetër shkaktohet nga pasiguria se nëse ajo është kapur duke kryer gabimin klasik që njeh jurisprudenca penale: dikush që dyshohet për një krim lë gjurmët më të thella jo në vendin e krimit, por në përpjekjen për t’i fshirë e fshehur ato. Pyetja torturuese është: nëse jo vetë Balluku, a kanë qenë njerëzit e saj mjaftueshëm të kujdesshëm për të mos krijuar gjurmë të tjera inkriminuese? Nga ato lloj gjurmësh, që në fund të fundit, i shkojnë vetë Shefes për t’u paguar.
Armiqtë e saj dhe përgjimet
Zonja Balluku ka krijuar shumë armiq personalë në 6-7 vitet që ajo qeveriste Shqipërinë si regjente e Ramës. Dy prej tyre, Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni, përbëjnë ndrojën e tretë të madhe të saj. Ekziston frika se ata mund të kenë përdorur kundër saj të njëjtin mjet që vetë ajo nuk i ka shpëtuar tundimit për ta përdorur ndaj kundërshtarëve të saj. Agasi ka qenë i fiksuar pas përgjimit, kurse Hyseni kishte logjistikën, burimet njerëzore dhe motivin për të ndezur radarët mbi zonjën Balluku. Për më tepër, ekzistenca e këtyre përgjimeve do të ishte si një breshëri mitralozi në turmë: edhe pse në shenjestër mund të ketë qenë Balluku, thonë burime autoritare, plumbat e çoroditur mund të kenë goditur ministra, deputetë apo edhe njerëz të drejtësisë.
Loja e madhe
Domosdoshmëria është shpesh tekanjoze. Për të mos u shfaqur si e tillë, për të tallur naivët dhe budallenjtë, ajo shpesh vetëmaskohet nën xhaketën e rastësisë dhe pantallonat e teorive konspirative. Ndoshta ishte rastësia që i bëri bashkë Spiropalin dhe Veliajn, me Agasin dhe Hysenin në sfond kundër të njëjtit target. Ndoshta ishte rastësia që emri i zonjës Spiropali u përmend në një dosje të re të SPAK-ut pa u mbushur 24 orë nga intervista e saj, dhe që qeliza e Veliajt u kontrollua në të gdhirë, pa kaluar as 24 orë nga letra e tij. Por ndoshta edhe jo! Mund të jetë një reaksion zinxhir i shkaqeve, pasojave dhe raportit mes tyre. Sido që të jetë e vërteta, kjo është një lojë, ku vetë Rama, lideri i padiskutueshëm të cilit socialistët ende i binden, por nuk arrin më t’i bindë si më parë, nuk i ka më të gjitha kartat në dorë. Loja e madhe tashmë shikon edhe përtej shtatit të tij të lartë, hijes së rëndë dhe shishes së thyer të engjëjve të munguar, shejtanbudallenjve pa ngjyrë, sirenave paralajmëruese dhe shtrigave të tij.
Burimi: shqiptarja.com










