Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

SpaceX synon 1 milion satelitë për AI, ekspertët shqetësohen

SpaceX synon 1 milion satelitë për AI, ekspertët shqetësohen
Foto: kohajone.com

Komisioni Federal i Komunikimeve i Shteteve të Bashkuara (FCC) i ka dhënë dritën jeshile kompanisë hapësinore SpaceX të Elon Musk për të ndërtuar një rrjet prej 1 milion satelitësh, të projektuar për të strehuar qendra të dhënash për inteligjencën artificiale në hapësirë. Projekti mban emrin Starmind dhe parashikon që brenda 15 vjetësh një milion satelitë të rrotullohen rreth Tokës, për të përballuar kërkesën në rritje të shpejtë për fuqi kompjuterike për inteligjencën artificiale, raporton DW.

Miratimi zyrtar vjen me një afat kohor ambicioz: SpaceX duhet të ketë në orbitë 10 për qind, ose 100 mijë, të satelitëve të autorizuar deri në vitin 2035. Deri në vitin 2038, kjo shifër duhet të arrijë në 50 për qind, ndërsa konstelacioni i plotë duhet të përfundojë deri më 25 nëntor 2040, sipas materialit të DW.

Energjia diellore dhe ftohja në hapësirë

SpaceX argumenton se satelitët e saj do të përfitonin nga energjia e bollshme diellore dhe mundësitë e ftohjes në hapësirë, duke ulur barrën mbi Tokën. Ulrich Speidel, i Shkollës së Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Aucklandit në Zelandën e Re, e quan të përshtatshme vendosjen e qendrave të të dhënave në satelitë për shkak të disponueshmërisë më të lartë të energjisë diellore.

Sipas tij, në varësi të orbitës, një satelit ekspozohet ndaj dritës së diellit për më shumë se gjysmën e ditës, dhe natyrisht në hapësirë nuk ka re. Konsumi i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale po rritet me shpejtësi në mbarë botën. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ai mund të më shumë se dyfishohet në 945 teravat-orë në vit deri në vitin 2030.

Përveç energjisë elektrike, qendrat e të dhënave në Tokë konsumojnë sasi të mëdha uji për të ftohur serverët. Sipas një studimi të fundit, konsumi global i ujit për këtë qëllim varion nga 313 miliardë deri në 764 miliardë litra. Rreth një e katërta e të gjitha qendrave të të dhënave ndodhen në rajone që përjetojnë rregullisht mungesa uji, thanë autorët e studimit.

Megjithatë, ftohja në hapësirë është e vështirë, vëren Speidel. Mënyra e vetme për të larguar nxehtësinë nga një satelit në vakum është ta rrezatosh atë, në vend që ta shpërndash siç bëjmë në Tokë me ftohje me ujë ose ajër. Richard Easther, fizikan në Universitetin e Aucklandit, e sheh gjithashtu ftohjen si sfidë, por thotë se ka zgjidhje të besueshme që përputhen plotësisht me fizikën bazë.

Ai e konsideron projektin Starmind në kufirin e fundit të fizibilitetit teknik. Easther kujton se edhe projekti Starlink i Elon Musk do të kishte tingëlluar i pamundur 15 vjet më parë. Ai e quan afatin kohor të FCC-së jorealist, duke iu bashkuar atyre që dyshojnë se SpaceX mund t’i përmbushë angazhimet ndaj agjencisë.

Ndotja e atmosferës dhe mbeturinat hapësinore

Laura Revell, profesore e kimisë atmosferike në Universitetin e Canterbury-t në Christchurch, Zelandë e Re, vëren se kjo do të thoshte nisja e rreth tetë satelitëve në orë që tani e deri në afatin e përfundimit të konstelacionit të autorizuar më 25 nëntor 2040. Revell shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar për nivelet e ndotjes që do të grumbulloheshin në atmosferë.

Sipas saj, dihet tashmë se emetimet nga lëshimet e raketave mund të shkaktojnë varfërim të shtresës mbrojtëse të ozonit. Deri tani ky nuk ka qenë problem i madh për shkak të numrit relativisht të vogël të lëshimeve të raketave, por ky projekt mund të zhbëjë dekada përpjekjesh për të mbrojtur shtresën e ozonit, thekson ajo.

Edhe vetë satelitët përbëjnë rrezik mjedisor, sipas Revell. Satelitët zakonisht çaktivizohen pas pesë vjetësh dhe, kur rihyjnë në atmosferë, digjen, gjë që e kthen atmosferën në një krematorium për satelitët, thotë ajo. Efektet afatgjata të metaleve të avulluara në klimën e atmosferës dhe në shtresën e ozonit janë plotësisht të panjohura.

Mbeturinat hapësinore janë tashmë një problem. Projekti Starmind do të rriste numrin e satelitëve aktivë në orbitë më shumë se 50-fish, thotë Michael Brown, astronom në Universitetin Monash në Melburn, Australi. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun e përplasjeve me mbeturinat hapësinore, të cilat mund të çojnë në sindromën Kessler, një kaskadë përplasjesh që do ta bënte orbitën e ulët të Tokës të papërdorshme.

Efektet mbi astronominë dhe qiellin e natës

Orbita gjithnjë e më e mbipopulluar e Tokës nuk është faktori i vetëm që mund t’ua vështirësojë astronomëve kërkimin shkencor në hapësirë në të ardhmen. Satelitët Starmind do të pajisen me panele diellore të mëdha. Këto do të jenë më të mëdha dhe më të rënda se ato të satelitëve të tjerë për shkak të sistemeve të ftohjes që u nevojiten.

Kjo mund të ketë efekte shkatërruese në shumë vëzhgime astronomike, thotë fizikani Richard Easther. Edhe për njerëzit që nuk janë astronomë, pamja e qiellit të natës mund të ndryshojë në mënyrë dramatike. Revell vëren se FCC mori vetë një vendim me pasoja globale, duke i hedhur poshtë shqetësimet mjedisore si çështje jashtë juridiksionit të saj.

Sipas saj, lind pyetja se kush ka autoritetin për të mbrojtur atmosferën e sipërme nga ndotja e raketave dhe satelitëve për të mirën e përbashkët. Një gjë është e sigurt, sipas saj: mbrojtja e atmosferës nuk duhet t’i lihet një kompanie të përqendruar në maksimizimin e fitimit.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha