Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Të ndryshme

Shqiptarët e Zvicrës ruajnë lidhjet me vendlindjen mes Lozanës dhe Zyrihut

Shqiptarët e Zvicrës ruajnë lidhjet me vendlindjen mes Lozanës dhe Zyrihut

Valbona Mulliqi ka kaluar dekada të tëra duke jetuar në Lozanë të Zvicrës, megjithatë ekzistenca e saj vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me tri vende: Zvicrën, ku punon dhe jeton bashkë me familjen; Shqipërinë, vendin ku ka lindur; dhe Kosovën, ku ka kaluar një periudhë të jetës.

E lindur në Durrës dhe e rritur pjesërisht edhe në Gjakovë, ajo bën pjesë në komunitetin prej mbi 190 mijë shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, shumica prej tyre me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Së bashku me dy djemtë e saj, Eneon dhe Dean, Mulliqi drejton një lokal pranë qendrës së Lozanës, ku punonjësit shqiptarë dhe ata të kombësive të tjera ndajnë jo vetëm detyrat e përditshme, por edhe përpjekjet për të mësuar gjuhën shqipe.

E njohur nga miqtë me emrin Bona, ajo vijon gjithashtu studimet për kontabilitet në Gjenevë, rreth një orë larg Lozanës.

“Më ka pëlqyer gjithë jetën të mësoj, që kur isha nxënëse në shkollën e mesme ‘Gjergj Kastrioti’ në Durrës”, thotë ajo.

Sipas Mulliqit, as dekadat e kaluara në Zvicër nuk i kanë dobësuar lidhjet me Durrësin dhe Gjakovën. Ajo planifikon të udhëtojë së shpejti drejt Kosovës për t’u kujdesur për çatinë e dëmtuar të shtëpisë së prindërve, por më parë duhet të ndalet në Durrës.

“Duhet të kryej disa pagesa për ujin dhe dritat e banesës që kam atje”, shpjegon ajo.

Historia e saj pasqyron përvojën e shumë shqiptarëve të Zvicrës, të cilët kanë ndërtuar një jetë të re larg vendlindjes, pa shkëputur lidhjet familjare, ekonomike dhe kulturore me vendet nga vijnë.

Kujtesa e luftës dhe një kullë e rindërtuar

Në një mbrëmje në Lozanë, Mulliqi ka ftuar disa bashkatdhetarë nga Kosova. Biseda kthehet te viti 1999, kur lufta detyroi mijëra familje kosovare të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim në Shqipëri.

Mes tyre ishte edhe Xhevat Sejdiaj, i cili kujton se gjatë asaj periudhe ishte strehuar në Qerret të Durrësit, një zonë ku prej dekadash jeton edhe një komunitet familjesh me origjinë nga Kosova.

Por një tjetër histori e Sejdiajt lidhet me përpjekjen e tij për të rindërtuar një kullë tradicionale prej guri në fshatin e lindjes në Kosovë.

“Kulla ishte rrënuar para se të lindja unë dhe në fillim të gjithë i kisha kundër, madje edhe Miniren”, thotë ai, duke treguar nga bashkëshortja.

Pas daljes në pension, Sejdiaj u kthye në fshatin e tij dhe drejtoi punimet për rindërtimin e kullës 9.7 metra të lartë, një përpjekje që e dokumenton me fotografi në telefonin celular.

“Duhet ta ndërtoja në respekt të babës tim dhe të varfërisë në të cilën na rriti e na shkolloi”, shprehet ai.

Për Sejdiajn, rindërtimi i kullës nuk ishte thjesht një investim në pronën familjare, por një mënyrë për të ruajtur kujtimin e të atit dhe historinë e familjes.

Nga Zvicra në Siçili, për trashëgiminë arbëreshe

Disa ditë më vonë, udhëtimi vazhdon drejt Nojshatelit, në shoqërinë e Veli Berishës, një inxhinier 43-vjeçar, i lindur në Zvicër në një familje kosovare.

Berisha punon prej vitesh në një ndërmarrje industriale në Bernë, por një pjesë të kohës së lirë ia kushton promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në makinën e tij dëgjohet muzikë arbëreshe. Bashkëshortja, Aisha, tregon se interesi për komunitetin arbëresh të Italisë është kthyer në një angazhim familjar, që ka kontribuar edhe në ngritjen e një shtatoreje të Skënderbeut në Piana degli Albanesi, në Siçili.

“Vjehrri im fliste shpesh për arbëreshët, veçanërisht për viktimat që shkaktoi COVID-19 në Itali. Kështu lindi ideja e krijimit të monumentit të heroit tonë kombëtar në qytezën arbëreshe”, shpjegon Aisha, nënë e katër fëmijëve.

Veliu kujton mikpritjen e komunitetit arbëresh ndaj shqiptarëve të ardhur nga Zvicra dhe bashkëpunimin me përfaqësuesit e Horës së Arbëreshëve, siç njihet Piana degli Albanesi në gjuhën vendase.

Sipas tij, bashkëpunimi nuk kufizohet te ngritja e monumenteve, por synon të përfshijë brezat e rinj dhe ruajtjen e gjuhës.

“Synojmë të përfshijmë fëmijët në planet tona, dhe po ashtu edhe përpjekjet për mësimin masiv të gjuhës shqipe”, thotë Berisha.

Në Nojshatel, një ekspozitë me objekte historike, fotografi dhe gazeta shqiptare nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX ofron një tjetër dëshmi të përpjekjeve të diasporës për ruajtjen e trashëgimisë.

Organizatori, Ilir Xheladini, synon gjithashtu të mbledhë fonde për botimin e librit Après la liberté, të gazetarit të televizionit zviceran Alain Maillard.

Një tjetër histori e diasporës shqiptare gjendet në Zyrih, ku prej shumë vitesh jeton dhe punon aktorja Liri Lushi, e njohur për publikun shqiptar nga skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

“Ne e njohim Lirinë më së shumti si Shote Galica, interpretimin e saj e kemi parë kohë më parë në televizion”, thotë Valbona Mulliqi.

Lushi është e angazhuar këto ditë me përgatitjet për martesën e vajzës, ku pritet të marrin pjesë edhe bashkatdhetarë nga komuniteti shqiptar. Megjithatë, angazhimet familjare nuk e kanë shkëputur nga puna.

Aktorja ka qenë gjithashtu pjesë e përpjekjeve për të mbajtur gjallë teatrin në gjuhën shqipe në Zvicër.

Vite më parë, ajo drejtoi një studio shqiptare aktrimi në Zyrih, ku morën pjesë artistë profesionistë dhe amatorë nga Shqipëria, Kosova dhe qytete të ndryshme zvicerane.

“Shfaqjet u pritën mjaft mirë në qytete të ndryshme, por edhe jashtë Zvicrës”, kujton Lushi.

Për komunitetin shqiptar, aktivitete të tilla kanë shërbyer si hapësira takimi dhe si mënyra për të ruajtur gjuhën e kulturën në një mjedis shumëgjuhësh.

Prania shqiptare në Zvicër ka marrë formë nga disa valë migrimi, fillimisht nga ish-Jugosllavia dhe më vonë edhe nga Shqipëria.

Sipas Xhevat Sejdiajt, arsimimi dhe përgatitja profesionale kanë ndihmuar një pjesë të emigrantëve shqiptarë të integrohen në tregun zviceran të punës.

“Shqiptarët erdhën të përgatitur dhe të shkolluar dhe kjo e bëri më të lehtë sistemimin e tyre në punë, sipas profesionit”, tha ai.

Që nga vitet 2000 numri i qytetarëve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, por kosovarët mbeten në shumicë.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha