Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Samiti i Investimeve: biznesi kërkon marrëveshje të reja për industrinë dhe teknologjinë

Samiti i Investimeve: biznesi kërkon marrëveshje të reja për industrinë dhe teknologjinë
Foto: abcnews.al

TIRANË- Biznesi shqiptar vlerëson se Konferenca e Investimeve e mbajtur në Tiranë i jep një peshë të rëndësishme vendit, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, në tërheqjen e më shumë investimeve.

Sipas Arben Shkodrës, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve, ajo krijon ura të drejtpërdrejta komunikimi edhe përmes investitorëve, duke kaluar nga potenciali që ofron rajoni te bashkëpunimet konkrete në investime.

“Ka kompani, të cilat tashmë kanë kaluar fazën e njohjes dhe janë në fazën, le të themi, të arritjes së marrëveshjeve të caktuara. Qeveritë duhet të jenë këtu pikërisht për ta mbikëqyrur këtë proces, për ta bërë sa më të thjeshtë për ndërmarrjet dhe për bizneset.

Dhe unë mendoj që ky është momenti i duhur. Si këto konferenca duhet të ketë jo vetëm çdo vit, por pse jo dhe dy herë në vit, në vende të ndryshme të rajonit, me qëllim që ne të fillojmë të shkëmbejmë pikërisht këtë lloj eksperience dhe këto mundësi”, tha ai.

Shqipëria ofron një gamë të gjerë sektorësh potencialë për tërheqjen e investimeve të huaja, veçanërisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Duhet kaluar përtej turizmit dhe ndërtimit. Shkodra thekson se interes ka edhe për bujqësinë dhe teknologjinë.

“Industria duhet të fillojë dhe të marrë peshën e vet. Nga ana tjetër, duhet të fillojmë dhe të kuptojmë që teknologjia, inovacioni, gjithçka që po ndodh në inteligjencën artificiale e të tjera, duhet të fillojë të bëhet pjesë e agjendës sonë.

Dhe së fundmi, unë mendoj që me pozicionin gjeografik që ne kemi, me investimet e rëndësishme që po bëjmë në infrastrukturë, duhet të fillojmë të mendojmë thellësisht për një sektor që duhet të dalë në pah, që është logjistika. Shqipëria mund t’i shërbejë rajonit me logjistikë, por ne duhet të fokusohemi për të investuar dhe për ta thjeshtuar, në mënyrë që operatorët të qasen me këtë sektor.

Pastaj bujqësia, e cila do t’i shërbejë prodhimit, është thjesht pjesë e zinxhirit, dhe unë them që një nga gjërat që na ka falur natyra është mundësia për të pasur bujqësi në mënyrë të qenësishme”, tha ai.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha