Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Diskutohet integrimi i statistikave shqiptare në sistemin evropian

Diskutohet integrimi i statistikave shqiptare në sistemin evropian
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në takim Drejtoreshën e Përgjithshme të Eurostat-it, Mariana Kotzeva, gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, si dhe përfaqësues të të dyja institucioneve.

Bashkëpunimi statistikor me Bashkimin Evropian

Biseda u përqendrua te përparimi i Shqipërisë në përafrimin e statistikave zyrtare me standardet e Bashkimit Evropian. U diskutua gjithashtu bashkëpunimi ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it brenda Sistemit Kombëtar Statistikor, si dhe përgatitjet për integrimin e statistikave shqiptare në Sistemin Statistikor Evropian.

Roli i Bankës së Shqipërisë

Guvernatori Sejko vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Eurostat-it, e cila, përmes programeve të ndryshme, ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë të përafrojë metodologjitë dhe praktikat e saj statistikore me standardet evropiane. Ai theksoi se hartimi i statistikave monetare, financiare dhe të sektorit të jashtëm është pjesë e mandatit ligjor të Bankës, e cila është një nga prodhueset kryesore të statistikave zyrtare në vend. Përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Vlerësimi i Eurostat-it

Drejtoresha e Përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, shprehu se Eurostat-i ka vlerësuar me një shkallë të lartë përputhshmërie statistikat e bilancit të pagesave, të pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe të investimeve të huaja direkte.

Gjithashtu, në kuadër të procesit të integrimit evropian, Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, lidhur me Kapitullin 18 “Statistikat”, evidenton përmirësimin e koordinimit në Sistemin Kombëtar Statistikor. Ky përmirësim vjen pas nënshkrimit të memorandumit të ri të mirëkuptimit ndërmjet INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, si dhe të marrëveshjes trepalëshe ndërmjet këtyre institucioneve dhe Ministrisë së Financave.

Angazhimi për të ardhmen

Në përmbyllje, Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të vazhduar përafrimin me standardet statistikore të Bashkimit Evropian.

Diskutohet integrimi i statistikave shqiptare në sistemin evropian
Diskutohet integrimi i statistikave shqiptare në sistemin evropian
Diskutohet integrimi i statistikave shqiptare në sistemin evropian

/e.xh/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha