Protestat e dhunshme gjatë muajit tetor kanë goditur turizmin në Shqipëri. Hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë pësuar një rënie të ndjeshme, si pasojë e ndikimit që kanë sjellë përplasjet dhe skenat e dhunës në kryeqytet, të cilat kanë dëmtuar imazhin e vendit si destinacion turistik.
Rënia e hyrjeve të shtetasve të huaj
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit tetor në Shqipëri kanë hyrë 795.503 shtetas të huaj, duke shënuar një rënie prej 12,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo ecuri vjen në një muaj të shoqëruar me tensione të forta në kryeqytet. Protestat u shoqëruan me dhunë nga protestuesit kundrejt forcave të rendit, si dhe me shkatërrim të pronave publike dhe private në disa zona të Tiranës.
Ndikimi në imazhin turistik të vendit
Shqipëria ka investuar prej vitesh për t’u promovuar si një destinacion turistik dhe për të tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj. Në këtë kontekst, përshkallëzimi i protestave dhe skenat e dhunës po zbehin përpjekjet e bëra deri më tani.
Në total, gjatë tetorit në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë 1.4 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rënie prej 7,6% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Tkurrja e hyrjes së shtetasve të huaj në tetor përbën një sinjal negativ për ecurinë e turizmit jashtë sezonit, ndërsa prej disa kohësh Shqipëria ka pasur në fokus një sezon turistik gjithë vjetor./abcnews.al
Burimi: abcnews.al









