TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Festat e nëntorit kanë filluar të ndihen nëpër qytet falë organizimeve të kopshteve dhe shkollave të Tiranës.
Fëmijët në rrugët e kryeqytetit
Fëmijë të veshur me ngjyrat kuqe e zi janë parë sot në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, duke ecur në kolonë, duke kënduar dhe thirrur shprehje patriotike. Në sheshin “Skënderbej”, një nga këto grupe fëmijësh u ndal me flamuj kombëtarë në duar. Pranë shtatores së Heroit Kombëtar, ata recituan dhe kënduan vjershat dhe këngët e përgatitura në klasë.
Mesazhi për atdheun
Me këngë patriotike, recitime dhe thirrje plot emocion, fëmijët përcollën mesazhin e dashurisë për atdheun, duke i dhënë sheshit gjallëri, në prag të 28 dhe 29 nëntorit, festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.
Atmosfera festive pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Institucionet arsimore i kanë ftuar tashmë prindërit t’i veshin fëmijët me ngjyrat e flamurit kombëtar, për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara brenda mjediseve shkollore, si dhe në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.





Fëmijët festojnë në sheshin Skënderbej. Fotot nga Andrin Hoxha
/a.f/
Burimi: ata.gov.al










