Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027, duke konfirmuar se biznesi i vogël do të vijojë të mos tatohet deri në vitin 2029.
Biznesi i vogël dhe TVSH-ja
Ai foli gjithashtu për uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe ndryshimet në taksën e qarkullimit të automjeteve.
“Deri në vitin 2029 nuk do ta taksojmë biznesin e vogël, por për të mos lejuar që biznesi i vogël të përdoret si shteg nga të mëdhenjtë për të ulur detyrimet e tyre, do të ulim pragun e TVSH-së dhe kush e konsideron taksë mbi biznesin e vogël, duhet të rishikojë formimin e vet.
Karburantet dhe taksa e automjeteve
Për uljen e naftës dhe taksën e automjeteve… T’i hapim rrugë atij perceptimi duke e bërë çmimin e karburantit në Shqipëri njësoj si në rajon dhe më pas duke kaluar detyrimin për të paguar taksën e qarkullimit të mjetit në sistemin e DPSHTRR-së. Këtë reformë, bashkë me buxhetin në tërësi, ne e ndërmarrim sot edhe në emër të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë, për të ecur më shpejt me makinën e ekonomisë”, tha ai.
Pensionistët dhe opozita
Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi edhe pensionistët, duke ironizuar opozitën për mënyrën se si, sipas tij, ajo paraqet llogaritjet për pensionet.
“Pensionistët ende i bëjnë llogaritë me laps dhe letër, dhe këta honxhoponxhot këtu mendojnë se mund t’i tollovisin me llogaritë e tyre kokëposhtë”, tha Rama ndër të tjera.
Burimi: tirananews.al









