Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Qeveria refuzon shfuqizimin e ligjit për Zvërnecin

Qeveria refuzon shfuqizimin e ligjit për Zvërnecin
Foto: gazetadita.al

Nga Blerina Gjoka

Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Parlamentit dhe Komisionit Evropian, qeveria shqiptare kundërshton shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe kërkon garanci juridike për projektet e nisura turistike dhe ato në proces.

Këshilli i Ministrave miratoi të premten vendimin për dhënien e mendimit mbi projektligjet e deputetëve Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë dhe Ina Zhupa nga Partia Demokratike, të cilët kërkonin shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ndryshime që i hapën rrugën miratimit të projektit turistik të Zvërnecit, një investim i lidhur me Jared Kushner, grupin Kastrati dhe investitorë nga Katari.

Toka dhe protesta qytetare

Toka ku pritet të ndërtohet mega-resorti turistik është pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë, ku jetojnë qindra specie të rralla, mes tyre shpendët shtegtarë flamingo, nga të cilët u emërua edhe protesta qytetare që nisi si kundërshtim ndaj këtij investimi që në muajin maj.

Edhe pse projekti mbetet për momentin i ngrirë në pritje të vlerësimeve mjedisore dhe konsultimeve që kryeministri ka premtuar, qeveria argumenton se çdo ndryshim i ligjit aktual do të krijonte pasiguri juridike për projekte që janë në zhvillim.

Argumentet e qeverisë

Në dokumentin e dërguar në Kuvend, qeveria kundërshton nismat ligjore të deputetëve duke argumentuar se propozimet nuk shoqërohen me një analizë të plotë të pasojave juridike, ekonomike dhe mjedisore që do të sillte rikthimi te kuadri i mëparshëm ligjor.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e dispozitave kalimtare që do të përcaktonin se çfarë do të ndodhte me investimet ekzistuese, lejet e dhëna dhe procedurat administrative që janë aktualisht në shqyrtim apo në proces zbatimi.

“Në asnjërin prej projektligjeve nuk përcaktohet në mënyrë të shprehur regjimi juridik që do të zbatohej pas hyrjes në fuqi të tyre, veçanërisht lidhur me dispozitat e ndryshuara të ligjit nr. 81/2017, ‘Për zonat e mbrojtura’, si dhe me trajtimin e procedurave administrative apo marrëdhënieve juridike që ndodhen në proces”, thuhet, ndër të tjera, në argumentimin e Këshillit të Ministrave.

Qeveria nënvizon se shfuqizimi i ligjit aktual mund të sjellë humbjen e fuqisë juridike të akteve normative të nxjerra në zbatim të tij, duke rrezikuar marrëdhëniet juridike të krijuara me këto akte, dhe propozon dispozita kalimtare që do të mbronin kontratat në fuqi.

“Për të garantuar sigurinë juridike dhe vijimësinë e marrëdhënieve juridike të krijuara, pasojat që lidhen me aktet ekzistuese, të drejtat e fituara dhe procedurat administrative në shqyrtim do të duhet të rregulloheshin në mënyrë të shprehur me dispozita kalimtare të përshtatshme”, thuhet në dokument.

Më tej, qeveria vlerëson se nevojitet një analizë e posaçme edhe për ndikimin ekonomik dhe financiar të shfuqizimit të këtyre dispozitave, veçanërisht për investimet ekzistuese dhe procedurat administrative në proces, megjithëse projektligjet e deputetëve nuk parashikojnë kosto të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit.

Për të mbështetur qëndrimin e saj, Këshilli i Ministrave i referohet edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit nr. 21/2024. Sipas qeverisë, pretendimet për cenimin e konsultimit publik, të objektivave kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit dhe të detyrimeve ndërkombëtare janë shqyrtuar dhe refuzuar nga Gjykata, ndërsa nismat e reja nuk paraqesin argumente të reja juridike që të justifikojnë një ndërhyrje të tillë.

Në përfundim, Këshilli i Ministrave vlerëson se argumentet e paraqitura nga deputetët propozues nuk janë të mjaftueshme për shfuqizimin integral të ligjit nr. 21/2024. Përtej kundërshtimeve kushtetuese dhe mjedisore, mendimi i qeverisë vë në qendër nevojën për të garantuar sigurinë juridike të marrëdhënieve dhe investimeve të krijuara, duke kërkuar që çdo ndryshim i mundshëm të shoqërohet me rregulla të qarta për trajtimin e lejeve, të drejtave të fituara dhe projekteve që janë ende në proces.

Presioni i Bashkimit Evropian

Në qershor, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku i kërkonte qeverisë shqiptare të shfuqizonte ndryshimet ligjore mbi bazën e të cilave u dha leja për këtë projekt, ndërsa në fillim të nëntorit, në progresraportin e Komisionit Evropian, u kërkua shfuqizimi i dispozitave dhe vlerësimi i projektit të Zvërnecit sipas standardeve evropiane.

Deputetët mbështeten te ky qëndrim i PE për nismat e tyre ligjore, por qeveria e relativizon nevojën për përafrim me legjislacionin evropian të dispozitave të vitit 2024 dhe thotë se argumenti i përafrimit me BE-në nuk mund të shërbejë si bazë për shfuqizimin integral të ligjit, pa identifikuar më parë mospërputhjet konkrete dhe pa paraqitur një analizë të detajuar të tyre.

“Dokumentet e procesit të integrimit nuk nënkuptojnë automatikisht se ligji në tërësinë e tij është i papajtueshëm me acquis-në”, sugjeron qeveria, dhe shton se rikthimi te kuadri ligjor para vitit 2024 nuk garanton vetvetiu përafrim të plotë me legjislacionin evropian.

Historiku i ndryshimeve

Ligji për Zonat e Mbrojtura u ndryshua në vitin 2024, pas një nisme të prezantuar nga disa deputetë socialistë, duke i hapur rrugën ndërtimeve për qëllime turistike brenda tyre. Ndryshimet u miratuan me votat e mazhorancës, pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, organizatave mjedisore dhe opozitës, të cilët i konsideruan ndryshimet si “rrugë pa kthim” drejt shkatërrimit të zonave të mbrojtura.

Reagimi i opozitës

Deputeti Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë i konsideron argumentet e qeverisë si “justifikime jo serioze” dhe në shkelje të “kritereve kushtëzuese” të BE-së në negociatat për anëtarësim.

“Kjo kërkesë i është drejtuar qeverisë shqiptare që prej shtatorit të vitit 2025”, tha Muçi për BIRN.

“Fakti që e refuzon diçka të tillë edhe kur iniciativa vjen nga deputetë të opozitës vërteton atë që kemi thënë prej kohësh, dhe që tashmë po artikulohet edhe nga deputetë të Parlamentit Evropian: që Edi Rama po e shfrytëzon periudhën e negociatave me BE-në për të intensifikuar zhvatjen e së drejtës nga prona e komuniteteve në zona me potencial turistik, disa prej të cilave ndodhen në zona mjedisore të mbrojtura sipas ligjit të vjetër (2017), por jo sipas ligjit 21/2024 në fuqi”, shtoi ai.

Muçi akuzon kryeministrin Rama se synon ta shtyjë shfuqizimin e këtij ligji sa më gjatë që të jetë e mundur, me qëllim që të përfundojë dhënien e lejeve të ndërtimit për resorte në zona të mbrojtura përmes Paketës së Maleve dhe ligjit “Për investimet strategjike”, një tjetër ligj për të cilin BE ka kërkuar shfuqizimin.

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha