Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Qafë Thanë, Hristijan Mickoski u pyet nëse duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për incidentin në Pustec, për mosrespektimin e himnit shqiptar.
Mickoski i përgjigjet pyetjes për himnin
Kryeministri maqedonas u përgjigj se himni ishte ekzekutuar dhe se aktiviteti duhej ndjekur deri në fund.
“Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë 22 Nëntorin. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u zbatua. Të relaksohemi”, tha Mickoski.
Tension me gazetarin nga Tetova
Ndërkohë një moment tensioni u shënua pasi një gazetar nga Tetova akuzoi Ramën se nuk ka folur për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Rama iu përgjigj se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe se shqiptarët kanë partitë e tyre politike për t’u përfaqësuar.
“Ju as më keni parë e as do të më shikoni të bëj fushatë për ndonjë parti politike në Maqedoninë e Veriut”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk duhet të kapërcehet kufiri i ndërhyrjes në çështjet e brendshme të një shteti tjetër.
Sistemi i integruar i kontrollit kufitar
Në fokus të takimit ishte inaugurimi dhe promovimi i sistemit të integruar të kontrollit kufitar me një ndalesë “One Stop Shop”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se sistemi është një transformim që do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe shtoi se implementimi i tij do të bëhet edhe në pikat e tjera.
j.l./ dita
Burimi: gazetadita.al










