Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Lidhja me qytetarin

Lidhja me qytetarin
Foto: gazetadita.al

Nga Artan Xh. DUKA

Karshillëku së fundi ndaj njëri tjetrit në PS, “telenovelat” shesheve e bulevardit, tërheqja e paraleleve absurde me zgjedhjet në botë, buja me “VIP” e politikës së kapur me presh në dorë, “VIP” rozë jashtë politikës, retorika politike e mbulimi mediatik deri në shterrim të vëmëndjes së audiencës etj janë vetëm copëza të mozaikut ku jo vetëm nuk dallon vëmëndje e angazhim për interesin qytetar por përkundrazi thurret enkas për t’a trullosur e nëpërkëmbur atë.

“Puna e komisarit ishte loja”… i thonë kësaj! Masmedia e rrjetet sociale tejngopen me kryelajme, lajme të fundit, mbulime direkte, ritransmetime, komente etj rreth politikës e kulisave të saj, zgjedhjeve në botë, debateve kush ka ngelur “burrë i mirë” në politikë, kush flak vezë e ndez zjarre në shesh etj, ndërkohë që qytetari hallemadh anashkalohet apo përmendet përciptas dhe nuk ka vullnet apo përkushtim politik apo mediatik jo vetëm për të cituar e përmbushur interesin qytetar por edhe zgjuar shpresën e besimin tek e ardhmja në vend.

Kokë-hamja!

Përplasja më e fundit në PS, njëlloj si edhe ato në PD, nuk është veçse kacafytje brenda “stanit” pa bulmet, kulisa “ik ti të vi unë” me interesa pas, tërsëllime “më shite të shita”, mllefe të vjetra karriere etj pa kurrfarë vlere për interesin qytetar sepse nuk flasin në emër të tij.
Janë po ata që deri dje i thurrnin ditirambe njëri-tjetrit, deri krahasime me Skënderbeun, deklaroheshin krenar se jemi … organizatë(!) etj gjepura patetike pafund. Ndaj edhe kur plas, nuk plas për parime e drejtësi sepse të ishte kështu do të kishte ndodhur më herët apo nuk do të kishte ndodhur fare sepse i drejti e korrekti e kupton kur e keqja bën mu dhe i kundërvihet dhe nuk bëzan apo t’a ruajë si “As” nën mëngë si policë sigurimi për të ardhmen atë. “Kokë-hamjen” që politika që nuk bën shtet i servir qytetarit si zgjidhje ndaj luftës kundër krimit, atë ajo e ka vetë në gen!

Ka 4 dekada që në politikë vjen puna e “kacafyten si qëntë në kasaphanë” thotë populli, sepse akoma drejtësia e ligji nuk ka këllqe për ta e sa për botën, ajo i vë e ajo i mban. Përplasen, sherrosen, debatojnë, flakin shishe uji e çfarë kanë xhepave ndaj njëri-tjetrit etj përballë kamerave por kurrsesi për parime e të drejtën por lojra interesash që në fund të fundit i bëjnë bashkë; janë puthadorë listash e servilë që kur i bëjnë kokë turku, bëjnë befas parimorin. Janë i njëjti “miell” ndaj pavarësisht furrës, e njëjta bajate bukë!

Këto “drama” e lajmet “bombë” nuk vlejnë për qytetarin; e nanurisin, e pështjellojnë kot më kot opinionin publik sepse kur vjen “puna mali pjell mi” dhe ata që kacafyten sot, bëhen palë nesër sepse i bashkon interesi i përbashkët që nuk ka lidhje me atë qytetar.

Janë të vetshpallur “elitë”, e marrin të mirëqenë bile e sjellin si argument edhe kur i nxjerrin sytë njëri-tjetrit e flasin për drejtësi teksa thonë se … “kur i ndodh atij apo këtij që ka atë apo këtë pozitë, imagjinoni se çfarë mund t’i ndodhë qytetarit të thjeshtë!” – një sarkazëm groteske e një “elite” që automatikisht e pandeh veten mbi qytetarin me një dorë edhe nga bota – nga kur sëmuret e deri tek ofertat për azil e shpëtuar drejtësisë pas pushtetit etj. I revolton paprimtas drejtësia kur u troket në derë se sa për qytetarin e kusuret e tij, ku edhe politika me ligjet e saj ka pjesën e vetë, nuk kanë sy e veshë nga viti 90.

Ky është një debat e karshillëk shterp politik që dominon edhe median e që kërkon me zor të ingranojë qytetarin me të, t’i marrë kohë të vyer e vëmëndjen atij, të përmbysë priroritetet e halleve duke vënë në plan të parë interesin e partisë e “legjendarit” atje lart, gjë që miklohet e pompohet vazhdimisht edhe prej medias së kapur apo të kontrolluar, algoritmeve të rrjeteve sociale etj marifete të kohëve moderne.

Në vend është “varrosur” shpresa e besimi qytetar dhe politika e media e kapur nuk bëjnë veçse vazhdojnë të hedhin të tjera “lopata” dheu atje ku prehet ajo aq sa slogani “shkuarje në BE” tashmë është shndërruar tekstualisht e realisht në dyndje masive atje me pasoja katastrofike demografike, sociale, kulturore e ekonomike në vend. Nëse vajtja në BE është një premtim i politikës, ajo e ka përmbushur tashmë atë plot kaq vite para afatit 2030 me dallimin se nuk është vendi por qytetari që ka ikur në BE teksa vendi vetë boshatiset për të qënë një “çiflik” pa kufinj i elitës së korruptuar që mund të punësojë kë të dojë nga bota më pas atje.

Folën e llapën shumë për kohën e socializmit por në fund të fundit, atëherë mirë keq ishim të gjithë një një varkë ndërsa sot ca të nënës e ca të njerkës, ca kot e ca të “zot” të rënë nga qielli, qytetari sheh se ndërsa llokoçitet me bashkëqytetarin tjetër në varkën e stërmbushur me halle, i bën “poza” jahti i stërmadh i elitës politike që shin në kurriz të tij dhe ia bën detin më tej me dallgë. Fundja, vështirësitë e problemet e jetësës lëndojnë më shumë kur nuk jemi të gjithë në të njëjtë varkë dhe sesa vështirësia është pabarazia që lëndon më shumë!

Muzikë apo zhurmë!

E keqja që na ka pllakosur politika sot përfytyrohet si fatalitet e pashmangshmëri. Vota është hije e vetvetes, SPAK nuk ka shkop magjik e ndjen presionin e “elitës” dhe bota, ajo na i bëri peshqesh kësaj takëm. Mbase zgjedhjet në Amerikë do të ndryshojnë diçka; tani që demokratët zotërojnë Kapitol Hill – in, mbase do të hetojnë plot afera dhe me këtë rast ku i dihet, mbase u del emri edhe cave tek ne!

Sa për lëvizjen qytetare ajo ende mbetet “vullkan” i fjetur. Arsye për të dalë në shesh ka pafund por shpesh atje gjenden edhe “peshkatarët” e “elitës” që hedhin grepat për “zapatat” e radhës. Edhe vetë lëvizja “flamingo” – e motivuar nga një arsye parimore, ndonëse ka si veçori të sajën faktin që ndryshe nga më parë në shesh u denoncua Berisha e Rama tok (BeRama) duke u futur në një “thes” si problemi i demokracisë e shtetit ligjor, sërish nuk po ngjit bile, po humb terren pavarësisht klonimit të saj në lëvizje “studentore”. Tani ka më tej ilaritet e hutim teksa në shesh gjen flamingot, studentët, pdistët, pa llogaritur të miturit, kolonat e pesta etj gjë që e ka shndërruar sheshin në zallamahi që nuk e tundon por e intimidon dhe e shtyn qytetarin tutje që nuk i jep dot dum asaj që ndodh atje, pale më t’i bashkohet asaj.

Sheshi i përket qytetarit e nuk mund të shndërrohet në “truall” sherrnaje mes protestuesve flamingo, studentë, pëdëistë, trampista a sorosista qofshin, që shpallin “tapi” e vënë sinor se kush e ku duhet të protestojë. Popullin nuk ka shesh që e nxë ndaj dhe çdo protestë, sado masive, nuk duhet të matet me hijen e mëngjezit dhe të marrë kot nga ngurtësia ndaj dialogut, intimidimi i qytetarit në punën e tij deri edhe studentit në auditorin universitar etj.

Qytetari nuk ka nevojë për retorika boshe në emër të tij por zotime e përkushtim konkret për gjëra që lidhen me interesin e tij. Atë nuk e mbush me shpresë premtimi për “burra më të mirë” në politikë por premtimi për kthimin e votës në mjet efikas për kontrollin e politikës, që ajo të mos jetë më monopol partiak por të mundësojë që edhe të pavarurit të hyjnë në Kuvënd, premtimi për lehtësimin e procedurave për referendum që qytetari të bëhet bashkë e të kundërshtojë abuzimin pas kurrizit të tij etj mekanizma që mbase nuk garantojnë “burrat e mirë” në politikë por garantojnë largimin e ndëshkimin e kujtdo që e qelb.

Më shumë se mungesa e rrugëzgjidhjes, agoninë qytetare e qorrolleps, nëpërkëmb dhe e zgjat më tej shpresa e rreme qoftë kjo politika apo edhe vetë sheshi. Nëse sheshi e ka seriozisht interesin qytetar atëherë protesta duhet të vërë “pikën mbi i”. Sesa “luga e florinjtë” ka rëndësi të zotohen se do i kthejnë “çelsat” si zot shtëpie qytetarit duke filluar me kthimin e votës në identitet – sistem mazhoritar si dikur, që pastaj qytetari të mos ketë më këtë fajësojë përveçse vetveten nëse i mbin papritur e keqja politike në derë. Të paktën e ka prapë në dorë t’a shkulë me rrënjë atë!

Sheshi u mbush sepse u mbush dhe u derdh kupa e politikës. Nuk u mbush rastësisht dhe ata atje e kanë një ide pse ndodhen aty. Zvarritja e kakofonia atje, në rastin më të mirë shihet si pazotësi e në rastin më të keq si dorë e zgjatur e politikës. Nuk dinë apo nuk duan, të dyja po rrënojnë imazhin e protestës dhe pa një “dirigjent” ajo që dëgjohet në shesh nuk është “muzikë” për veshin e qytetarit por zhurmë që vetëm bezdis.

Dhe si politika, kjo lloj proteste nuk shpie ujë në mullirin qytetar. Flamingot duhet të evoluojnë pa të mbijetojnë. Sheshi e më pas kutia e votimit mbushen nëse flamingo jep shëmbullin e nuk i ndruhet votës si BeRama e fshehur pas listave.

Mazhoritari e referendumi janë “fjalëkalim” për popullaritet e sukses politik. Janë pritshmëri qytetare që duhet të respektohen ndryshe, ç’ne qytetari me ta?!

DITA

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha