TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh se Tirana është kryeqyteti i të gjithë qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të. Ajo theksoi se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur mendim të ndryshëm duhet respektuar, por pa cenuar sigurinë dhe jetën e përditshme të qytetit.
Në një intervistë, Koçiu tha se në kryeqytet jetojnë jo vetëm qytetarë që nuk janë dakord me qeverinë, por edhe familje, prindër që dërgojnë fëmijët në shkollë, persona që kanë nevojë për shërbime shëndetësore dhe biznese të vogla që përpiqen të vazhdojnë aktivitetin e tyre.
“Pra, në këtë metropol duhet të respektojmë dhe të garantojmë lirinë e gjithsecilit dhe nuk duhet të imponojmë mendimet tona”, u shpreh ajo.
Koçiu theksoi se liria për të protestuar është e drejtë e çdo qytetari, por sipas saj, ajo nuk duhet të shoqërohet me akte që cenojnë pronën publike, bizneset apo institucionet.
“Tirana është kryeqyteti i të gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë këtu çdo ditë, i fëmijëve dhe i të rinjve, i qytetarëve që zgjedhin të protestojnë e të shprehin mendim të ndryshëm, por edhe i çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, që sheh në këtë metropol pasqyrën e Shqipërisë evropiane”, u shpreh Koçiu.
Ajo nënvizoi se “Tirana nuk mund të jetë kurrë kryeqyteti i dhunës dhe i kaosit”, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë të marrë peng jetën e qytetit, të rrezikojë sigurinë e qytetarëve apo të shkatërrojë pronën publike, bizneset dhe institucionet në emër të agjendave politike.
Sipas zëvendëskryeministres, garantimi i lirisë për të protestuar dhe ruajtja e sigurisë së qytetarëve janë përgjegjësi e përbashkët.
/gj.m/
Burimi: ata.gov.al










