TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë do të përfshihet në një projekt të plotë restaurimi të godinës historike dhe riorganizimi të linjës muzeore. Qëllimi është përmirësimi i hapësirave të ekspozimit dhe pasurimi i përvojës së vizitorëve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e prezantoi projektin për ndërhyrjen në këtë institucion të rëndësishëm të trashëgimisë historike, në kuadër të festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Ruajtja e godinës dhe hapësirat e reja
“Do të ruajmë tiparet origjinale të godinës, duke zgjeruar hapësirat e ekspozimit dhe duke krijuar ambiente të reja për aktivitete kulturore e edukative”, deklaroi Gonxhja.
Projekti parashikon gjithashtu ekspozita interaktive dhe përdorimin e teknologjive digjitale. Kjo do t’u ofrojë vizitorëve, turistëve dhe sidomos të rinjve mundësi të reja për të njohur historinë e themelimit të shtetit shqiptar.
Ndërhyrja do të përfshijë edhe përmirësimin e hapësirave të jashtme dhe krijimin e një identiteti të ri vizual për muzeun.
Numri i vizitorëve
Sipas ministrit Gonxhja, gjatë periudhës janar-tetor 2026, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë mirëpriti mbi 16 mijë vizitorë.
/gj.m/a.f/
Burimi: ata.gov.al










