TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ – Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe mbetet e përkushtuar për përmbushjen e misionit të saj: garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar.
Në një komunikim për mediet, Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar. Po ashtu, asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pezullimi i punonjësit dhe hetimi disiplinor
“Në lidhje me këtë të fundit, pas rastit të ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit, inspektor E.A. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome”, njofton Policia.
Hetimi paralel dhe thirrja për protestë paqësore
“Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, pasi Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet.
Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin, përfundon komunikimi i Policisë së Shtetit.
Burimi: ata.gov.al










