Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Artistja Fatime Paja, e dyshuar për furnizimin e protestuesve me molotov

Artistja Fatime Paja, e dyshuar për furnizimin e protestuesve me molotov
Foto: top-channel.tv

E lindur në Belsh dhe e vendosur në Tiranë, Fatma Paja ka një formim dhe aktivitet të lidhur me artet pamore. Ajo është marrë me pikturë, fotografi, ilustrim, animacion dhe dizajn grafik, ndërsa një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së saj është zhvilluar përmes studios që ajo themeloi së bashku me dy motrat e saj.

Fatime Paja, e njohur në aktivitetin e saj artistik si Fatma Paja, është emri i 29-vjeçares që përfundoi në prangat e Policisë së Tiranës në kuadër të operacionit “Distribution of Elements”.

Artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe aktiviste qytetare, ajo është bërë e njohur për angazhimin e saj në protestat kundër projektit turistik në zonën e Nartës, ku flamingot u kthyen në atë kohë në simbol të tubimeve.

Arrestimi i saj ka tërhequr vëmendjen edhe për shkak të profilit publik që Paja ka ndërtuar ndër vite përmes artit dhe aktivizmit qytetar.

Përtej aktivitetit artistik, Fatma Paja është angazhuar edhe në çështje të ndryshme qytetare dhe mjedisore.

Nga artistja te aktivistja e “Revolucionit të Flamingove”

Ajo u bë një prej figurave të njohura të lëvizjes së quajtur “Revolucioni i Flamingove”, e cila kundërshtoi projektin turistik në zonën e Nartës, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tij në mjedis dhe biodiversitet.

Sipas një raportimi të Associated Press në qershor 2026, Paja ishte pjesë e grupit të artistëve që krijuan flamingot prej materialesh të lehta, të cilat u kthyen në simbol të protestave.

Gjatë këtyre tubimeve, ajo u angazhua në organizimin e aktiviteteve artistike për fëmijët dhe në drejtimin e thirrjeve të protestuesve përmes megafonit. Ndër sloganet e përdorura ishin “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”.

Përveç angazhimit mjedisor, në një intervistë të vitit 2022 për portalin Kumti, motrat Paja janë prezantuar edhe si aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kanë folur për raportin mes artit dhe aktivizmit shoqëror.

Arrestimi pas protestës së 28 Nëntorit

Emri i Fatime Pajës u bë pjesë e një tjetër zhvillimi kur Policia e Tiranës njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Distribution of Elements”.

Sipas Policisë, 29-vjeçarja u arrestua në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, ndërsa ndodhej në një automjet tip “Fiat”.

Gjatë kontrollit të automjetit, uniformat blu raportuan se sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, dy maska kundërgaz, veshje, doreza, maska, kapele, dy telefona celularë dhe sende të tjera.

Nga hetimet paraprake, Policia dyshon se Paja, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, përkatësisht 28 dhe 39 vjeç, siguronte dhe shpërndante sende të kundërligjshme për pjesëmarrësit në protestën e 28 Nëntorit, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj efektivëve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Dy personat e tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha