Nga Ylli Manjani
Kjo ishte pamja e 28 Nëntorit 2026. Revolucionarët e maskuar të dhunës dolën me flamur në dorë për të djegur policinë e shtetit, e cila mbante po të njëjtin flamur në uniformë.
Secila palë, sipas mënyrës së vet, pretendonte se po nderonte flamurin. Të veshur me flamur, por me shkopinj në duar!
Secila palë me flamur, por të gjithë bashkë dogjëm flamurin në emër të flamurit.
Një marrëdhënie e munguar
Kam pasur gjithnjë bindjen se nuk na kanë pasur fort hije këto punët e flamurit. Dje m’u përforcua kjo bindje. Nuk duket se kemi ndonjë marrëdhënie serioze me atë që simbolizon flamuri: pavarësinë, lirinë, shtetin, ligjin dhe, mbi të gjitha, paqen me njëri-tjetrin.
Meqë ra fjala, se sot është edhe dita e çlirimit, me njëri-tjetrin kemi luftuar, me njëri-tjetrin vazhdojmë të luftojmë dhe, me sa duket, me njëri-tjetrin kemi ndër mend të luftojmë edhe në të ardhmen. Gjithnjë në emër të flamurit, tek i cili na intereson më shumë shkopi sesa simbolika.
Shoqëritë që kanë ndërtuar një marrëdhënie serioze me flamurin, nën të bashkohen përballë një pushtuesi apo agresori. Ndërsa mosmarrëveshjet mes tyre i zgjidhin me institucionet e shtetit që simbolizon ai flamur.
Ne, përkundrazi, flamurin e kemi shndërruar në një shkop për t’ia thyer në kurriz një shqiptari tjetër.
Paradoksi i festës
Paradoksi është se festojmë pavarësinë e shtetit duke sulmuar institucionet e tij; festojmë lirinë duke cenuar lirinë e tjetrit; pretendojmë se luftojmë për demokracinë duke zëvendësuar argumentin me dhunën.
Për një gjë duhen falënderuar, me gjithë ironinë që përmban ky falënderim, revolucionarët e djeshëm të dhunës. Bash në ditën e flamurit na kursyen hipokrizinë e fjalimeve patriotike dhe na treguan se çfarë marrëdhënieje kemi në të vërtetë me flamurin, pavarësinë, shtetin, demokracinë dhe paqen.
Patriotizmi nuk matet me madhësinë e flamurit që valëvit, por me respektin që ke për bashkëkombësin me të cilin nuk je dakord.
Përndryshe, flamuri mbetet thjesht një shkop, të cilit i kemi lidhur në majë një copë pëlhure kuqezi.
Burimi: tirananews.al










