Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Numrat alarmantë të Real Madridit këtë sezon

Numrat alarmantë të Real Madridit këtë sezon
Foto: gazetaexpress.com

Humbja e Real Madridit ndaj Deportivo Alavesit mbrëmë nuk erdhi si pasojë e një paraqitjeje të dobët të skuadrës, por për shkak të mungesës së konkretizimit të rasteve të krijuara.

Dominim pa gola

Gjatë 90 minutave, “Los Blancos” krijuan një vlerë më të lartë të golave të pritur (xG) sesa Alavesi dhe patën edhe më shumë raste të mëdha shënimi. Madrilenët krijuan katër të tilla, për dallim nga dy sa patën mysafirët.

Dallimi, megjithatë, qëndroi te efikasiteti i Alavesit para portës, pasi kjo rezultoi e mjaftueshme për ta siguruar fitoren, pavarësisht se Real Madridi rrezikoi më shumë portën kundërshtare. Çuditërisht, kjo nuk është hera e parë që ndodh gjatë këtij sezoni.

Siç raporton së fundmi Mundo Deportivo, problemi i konkretizimit të dobët të rasteve, që po i kushton pikë Real Madridit, është vënë re edhe nga drejtuesit e klubit dhe po shkakton shqetësim brenda tij.

Në fund të fundit, kjo nuk është hera e parë që “Los Blancos” humbin pikë dhe pësojnë disfatë, pavarësisht dominimit në aspektin statistikor.

Shifrat e ndeshjes me Alavesin dhe Betisin

Mbrëmë në “Santiago Bernabeu”, skuadra e Jose Mourinhos regjistroi plot shtatë goditje në kuadratin e portës, por vetëm njëra përfundoi në rrjetë. Ndërkohë, Alavesi pati vetëm dy goditje të tilla dhe arriti t’i konkretizonte të dyja, duke i marrë kështu tri pikët.

I njëjti skenar u përsërit edhe në humbjen e Real Madridit ndaj Real Betisit më herët gjatë këtij sezoni në La Liga. Në atë ndeshje, madrilenët patën tetë goditje në kuadratin e portës, krahasuar me pesë të vendasve, por megjithatë humbën me rezultat 1-0.

Futbolli është një sport ku, përveç cilësisë, ndonjëherë rol luan edhe fati, ndërsa statistikat e konfirmojnë këtë teori në rastin e Real Madridit.

Përqindja e konkretizimit

Në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, Real Madridi ka shënuar 52 gola nga 146 goditje në kuadratin e portës, duke regjistruar një përqindje konkretizimi prej 35.62 për qind.

Ndërkohë, kundërshtarët e tij kanë shënuar vetëm 21 herë nga 81 goditje në drejtim të portës së Thibaut Courtois, me një efikasitet prej vetëm 25.93 për qind. Megjithatë, një pjesë e madhe e meritës për këtë statistikë i takon vetë portierit belg.

Sidoqoftë, ka mbrëmje zhgënjyese kur topi thjesht refuzon të përfundojë në rrjetë, dhe ajo e mbrëmshmja ishte një prej tyre. Drejtuesit dhe stafi teknik, natyrisht, janë të vetëdijshëm për këtë problem dhe po fokusohen në zvogëlimin e rasteve kur skuadra ndëshkohet nga mungesa e konkretizimit./GazetaExpress/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha