Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Akademia e Shkencave e përkujton De Radën në ditëlindjen e tij

Akademia e Shkencave e përkujton De Radën në ditëlindjen e tij
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot ditëlindjen e poetit të Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada.

Jeronim De Rada lindi më 29 nëntor 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki të Kalabrisë. Në Napolin e vitit 1834, i ri në moshë dhe student i drejtësisë, ai e përjetonte nga larg lidhjen shpirtërore me Shqipërinë. Gjatë viteve të para të formimit në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë dhe përmes leximeve të para në gjuhën shqipe, De Rada e ndiente veten të lidhur ngushtë me historinë dhe trashëgiminë kombëtare shqiptare.

Vepra e hershme dhe botimet e para

Studiues i trashëgimisë kulturore arbëreshe, poet, gazetar, publicist, filolog dhe mësues, Jeronim De Rada konsiderohet themelues i letërsisë arbëreshe dhe një nga nismëtarët e letërsisë moderne shqiptare. Puna e tij e hershme mbi Këngët e Milosaos, e nisur në vitet ’30 dhe e botuar si vepër më 1847, shënoi një hap të rëndësishëm në letërsinë arbëreshe dhe në lidhjen e krijimtarisë shqipe me frymën evropiane.

Në vitet 1847–1848 ai vijoi me botimet e ciklit të poemave arbëreshe (si Këngët e Serafina Topisë dhe Rrëfimet e Arbrit), ku ideali patriotik shprehet përmes një lirizmi të fuqishëm. Nën drejtimin e kësaj figure qendrore të Rilindjes Kombëtare u botua në Napoli më 1848 gazeta L’Albanese d’Italia, ndër gazetat e para me profil të qartë politik e kombëtar në Itali, përmes së cilës De Rada ngriti me vendosmëri çështjen shqiptare në opinionin evropian.

Veprimtaria kombëtare dhe letrare

Që nga viti 1861 nis një fazë e re e veprimtarisë së tij, duke u shfaqur si një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861), ai botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (Antichità della nazione albanese, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (Rapsodie d’un poema albanese, 1866), të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Në vitet e mëvonshme De Rada punoi dhe botoi pjesë nga poema Skënderbeu i pafan (botuar pjesë-pjesë në vitet 1872–1884 dhe më vonë si përmbledhje), ndërsa Gjon Huniadi mbeti në dorëshkrim.

Më 1878 ai mbështeti fuqishëm Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Një kontribut të vyer për çështjen kombëtare dha edhe përmes revistës “Flamuri i Arbrit”, të cilën e botoi në vitet 1883–1887.

Kontributi gjuhësor

De Rada renditet ndër studiuesit e parë të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. Në dy veprat gramatikore që hartoi, më 1870 dhe 1894, ai vuri në dukje aspekte të patrajtuara më parë nga studiuesit shqiptarë dhe albanologët, duke sjellë në vëmendje dukuri gjuhësore të panjohura ose të studiuara pak. Veprat e tij gjuhësore përmbajnë gjithashtu të dhëna me vlerë për të folmet arbëreshe. Ai bëri përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një alfabeti të përbashkët të shqipes, të mbështetur në karakteret latine dhe të aftë për të pasqyruar sa më plotësisht sistemin fonetik të gjuhës.

Në veprimtarinë e tij gjuhësore duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore kushtuar shqipes: i pari, më 1895, në Koriliano Kalabro të provincës së Kozencës dhe i dyti, më 1897, në Lungro të Kalabrisë.

Trashëgimia

Jeronim De Rada luajti një rol të jashtëzakonshëm në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në Itali janë botuar tashmë mbi dhjetë vëllime të veprës së tij, që përfshijnë jo vetëm krijimtarinë poetike, por edhe veprat gjuhësore, studimet politiko-filozofike, letërkëmbimin dhe shkrime të tjera.

Studiuesi i veprës së tij, akademik Matteo Mandalà, shkruan: “De Rada ishte një idhull për të rinjtë e kohës. Nismëtar dhe organizues tubimesh shkencore e kulturore, nxitës botimesh që përndryshe do t’i kishim humbur, mbledhës i palodhur dhe studiues i këngëve popullore, De Rada ishte një vizionar i madh që arriti të parashikonte historinë dhe aspiratat e Shqipërisë si askush tjetër”.

Jeronim De Rada u nda nga jeta më 28 shkurt 1903, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme letrare dhe kulturore të identitetit kombëtar.

/m.m/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha