Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi para grupeve të interesit paketën e katër projektligjeve të reja të shëndetësisë. Qëllimi i tyre është t’i afrojnë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe të modernizojnë mënyrën se si furnizohet sistemi publik shëndetësor.
Rëndësia e shoqërisë MedAL
Në aktivitetin “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, morën pjesë ekspertë të BE që kanë kontribuar në paketën e projektligjeve, përfaqësues të industrisë farmaceutike, të komunitetit të biznesit, institucioneve, organizatave profesionale dhe ekspertë të tjerë. Spahiu u ndal edhe te krijimi i shoqërisë publike MedAL.
Kjo shoqëri synon të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit të institucioneve publike shëndetësore. Ajo do të koordinojë fuqinë blerëse, do të planifikojë më mirë nevojat, do të menaxhojë stokun në mënyrë të integruar dhe do të krijojë rezerva strategjike.
“Për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin”, u shpreh ministrja.
Roli i sipërmarrjes private
Duke iu përgjigjur pikëpyetjeve të ngritura, ministrja vlerësoi kontributin e sipërmarrjes private, investimet dhe kapacitetet profesionale e logjistike të ndërtuara ndër vite.
“Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi. Organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie”, theksoi Spahiu.
Ministrja sqaroi gjithashtu se autorizimi i tregtimit mbetet parimi themelor për vendosjen e barnave në treg. Mekanizmat e posaçëm të importit duhet të jenë përjashtime të argumentuara, në respektim të kërkesave ligjore dhe standardeve të cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë.
Katër projektligjet e reja
Paketa e re ligjore përfshin katër projektligje:
- Projektligjin për produktet mjekësore për përdorim njerëzor;
- Projektligjin për pajisjet mjekësore;
- Projektligjin për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro;
- Projektligjin për krijimin e shoqërisë publike MedAL.
Tre projektligjet e para synojnë forcimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore, rritjen e gjurmueshmërisë, forcimin e farmakovigjilencës, lehtësimin e aksesit në teknologjitë moderne dhe eliminimin e procedurave administrative të panevojshme.
“Filozofia jonë është të forcojmë standardet që mbrojnë qytetarin dhe të thjeshtojmë procedurat që nuk krijojnë vlerë”, deklaroi ministrja.
Konsultimi me grupet e interesit
Spahiu nënvizoi rëndësinë e dialogut me grupet e interesit. Ajo theksoi se propozimet e argumentuara që lidhen me konkurrencën, sigurinë e furnizimit, investimet dhe zbatimin praktik të reformës do të analizohen gjatë procesit të konsultimit.
“Suksesi i kësaj reforme do të matet me rezultatet në praktikë: aksesin në trajtime, sigurinë e produkteve, vazhdimësinë e furnizimit, besimin tek institucionet dhe përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike”, përfundoi ministrja Spahiu.
Burimi: lajmifundit.al










