Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Zabaleta tregon momentin e golit të Agüero që ndryshoi historinë e City

Zabaleta tregon momentin e golit të Agüero që ndryshoi historinë e City
Foto: telesport.al

Pablo Zabaleta ka rrëfyer episode të veçanta nga karriera e tij, në një intervistë për emisionin “La Pizarra de Quintana” në “Radio MARCA”. Nga miqësia me Lionel Messin në Barcelonë te titulli historik me Manchester City dhe finalja e humbur e Botërorit 2014, ish-mbrojtësi argjentinas solli kujtime që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij.

Darkat me Messin dhe porosia e babait të Leos

Zabaleta ishte 20 vjeç kur mbërriti në Barcelonë, në verën e vitit 2005. Ai sapo ishte transferuar tek Espanyol, ndërsa Messi po përpiqej të fitonte vendin në ekipin e parë të Barcelonës. Të dy vinin nga triumfi në Kupën e Botës për moshat U-20 dhe shpesh kalonin kohë së bashku.

“Zakonisht darkonim te ‘Las Cuartetas’, një restorant argjentinas në Barcelonë. Ndonjëherë vazhdonim mbrëmjen edhe në zonën e Aribaut. Leo nuk kishte ende patentë, kështu që shkoja e merrja dhe më pas e ktheja në shtëpi. Babai i tij, vetëm me shikimin që më drejtonte, më thoshte gjithçka: Kujdesu për djalin! Imagjinoni sikur t’i ndodhte diçka Leos, do të isha në telashe të mëdha”, kujtoi ai me humor.

Tek Espanyol, Zabaleta gjeti edhe Mauricio Pochettino, i cili e ndihmoi të përshtatej dhe jepte udhëzime taktike në stërvitje, edhe pse në atë kohë ishte ende futbollist. Aty njohu edhe bashkëshorten e tij, tifoze të Espanyol, ashtu si pjesa tjetër e familjes. I pyetur se për cilën skuadër nuk do të kishte luajtur kurrë, ai u përgjigj: “Do të kishte qenë e pamundur për mua të luaja te Barcelona”.

Goli që mund t’i siguronte edhe 5 vite kontratë

Kujtimi më i bukur në fushën e lojës mbetet titulli i Premier League në vitin 2012. Manchester City luante në shtëpi kundër QPR dhe Zabaleta shënoi golin e tij të vetëm në atë sezon, duke i dhënë skuadrës avantazhin 1-0 në pjesën e parë.

“Po të përfundonte ndeshja kështu, imagjinoni çfarë do të ndodhte. Të nesërmen do të trokisja në derën e Txiki Begiristain për t’i kërkuar edhe 5 vite të tjera kontratë”, tregoi ai me shaka.

Por ndeshja mori një kthesë dramatike. Në minutën e 90-të, City po humbiste 2-1 dhe rrezikonte të humbiste titullin. Edin Džeko barazoi në minutat shtesë, ndërsa më pas erdhi goli legjendar i Sergio Agüerös.

Zabaleta kujtoi edhe një detaj të veçantë. Sipas tij, nga stoli i QPR-së u ishte komunikuar lojtarëve se mbijetesa në Premier League ishte siguruar. Pas barazimit të City, kundërshtarët e larguan topin nga pika e nisjes, duke i dhënë mundësinë skuadrës së tij të rifitonte zotërimin dhe të niste aksionin vendimtar: “Besoj se nuk kisha më as forcë për të shkuar e përqafuar Kun. Në ato minutat e fundit isha i bindur se po na ikte titulli. Përfundova përtokë, i mposhtur nga gjithë ai tension”.

Roma, Guardiola dhe mesazhi që ndryshoi gjithçka

Në vitin 2016, Zabaleta ishte shumë pranë largimit nga Manchester City. I kishte mbetur edhe një vit kontratë dhe Roma kishte paraqitur një ofertë konkrete. Negociatat kishin avancuar, por në atë moment ndërhyri drejtori sportiv Txiki Begiristain.

“Pep të dëshiron këtu”, ishte mesazhi që i ndryshoi planet. Guardiola u takua më pas personalisht me mbrojtësin dhe i konfirmoi se bazohej tek ai. Zabaleta vendosi të qëndronte, teksa edhe sot e vlerëson mundësinë për të punuar një sezon me trajnerin spanjoll.

Nga vitet te City, ai veçoi edhe David Silvën, një nga shokët e skuadrës me të cilët kuptohej më mirë. “Në lojërat e pasimeve në stërvitje, David Silva nuk përfundonte kurrë në mes të kuadratit”, kujtoi ai. Në ndeshje, kur mesfushori spanjoll merrte topin mes linjave, Zabaletës i mjaftonte të bënte një lëvizje nga krahu për të marrë pasimin dhe për të krosuar.

Ronaldinho, Hazard dhe provokimet e Diego Costa

I pyetur për kundërshtarët që i kishin shkaktuar më shumë vështirësi, Zabaleta përmendi Ronaldinhon dhe Eden Hazard. Ndërsa për lojtarin që dinte ta nxirrte më shumë nga vetja, zgjodhi Diego Costa.

Ai kujtoi një ndeshje kundër Chelsea, kur ishte ndëshkuar më parë me karton të verdhë. Pas një përplasjeje me sulmuesin, protestoi tek arbitri dhe përfundoi i përjashtuar.

“E fitova vetë kartonin e dytë të verdhë”, pranoi me sportivitet. Zabaleta e dinte shumë mirë se sa i aftë ishte Diego Costa për të provokuar kundërshtarët, por atë ditë kishte rënë në kurthin e tij.

Finalja e Botërorit që la një plagë të pashërueshme

Ndeshja që do të dëshironte ta luante sërish është finalja e Kupës së Botës 2014 kundër Gjermanisë. Zabaleta ishte 29 vjeç dhe, menjëherë pas përfundimit të takimit, mendoi nëse do ta kishte ndonjëherë një mundësi tjetër për të luajtur një finale të tillë.

Argjentina pati raste për të shënuar, por pësoi gol në pjesën e dytë të shtesës dhe humbi trofeun. “Ajo plagë e humbjes vështirë se do të mbyllet ndonjëherë në jetën time”, rrëfeu argjentinasi.

Tetë vite më vonë, tashmë i tërhequr nga futbolli, Zabaleta përjetoi triumfin e Argjentinës në Katar, ku ndiqte Botërorin për një media. Ai kujtoi dy finalet e humbura të Kupës së Amerikës kundër Kilit, kritikat e shumta ndaj Messit dhe atë që kishte përjetuar edhe Ángel Di María.

Kishte ndarë me të dy të njëjtën dhomë zhveshjeje dhe e dinte mirë se çfarë përfaqësonte për ta mundësia për të provuar sërish. “Qava sikur ta kisha fituar vetë Botërorin”, përfundoi Zabaleta.

Burimi: telesport.al

Të fundit Të gjitha