Finalja e “Botërorit 2030” është kthyer në një “luftë” të vërtetë mes dy prej organizatorëve të turneut më të madh të futbollit në planet. Ai do të nisë nga Amerika Latine me ndeshjet e para që do të zhvillohen në Uruguaj, Argjentinë dhe Paraguaj për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës, dhe më pas do të zhvendoset përfundimisht në Evropë, ku pritësit zyrtarë janë Spanja, Portugalia dhe Maroku.
Lobimi i Spanjës dhe Marokut
Përtej bashkëpunimit të detyrueshëm, dy prej këtyre vendeve, Spanja dhe Maroku, kanë nisur prej kohësh një fushatë diplomatike, lobimi madje edhe marrëveshje të fshehta për të marrë finalen e “Botërorit 2030”.
Sipas mediave iberike, Spanja ka kaluar përpara rivalëve në këtë garë dhe pritet që finalja e Kupës së Botës së ardhshme të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabéu” të Madridit.
Roli i UEFA dhe i FIFA
Për këtë, Spanja ka mbështetjen e madhe të UEFA-s. Përveç planit kontrovers për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës investitorëve privatë, finalja e “Botërorit 2030” është edhe një tjetër pikë përplasjeje e fortë mes qeverisë evropiane të futbollit dhe presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino.
Ky i fundit e kishte përdorur finalen e turneut të ardhshëm si “objekt shkëmbimi” për të marrë mbështetjen e tij në misionin për t’u rizgjedhur në krye të qeverisë botërore të futbollit. Infantino ia kishte premtuar atë Marokut, në këmbim të votës së federatës së këtij vendi dhe të gjithë konfederatës afrikane. Jo më kot, Kongresi i FIFA-s, që do të vendosë fatin e zvicerianit, do të zhvillohet marsin e ardhshëm në Rabat. Sipas këtij plani, finalja do të zhvillohej në stadiumin e ri “Grand Stade Hassan II”.
Stadiumi i Casablancës
Impianti që po ndërtohet në Casablanca do të jetë më i madhi në botë, me një kapacitet prej 115 mijë vendesh. Por situata ka ndryshuar, pas akuzave të rënda ndaj Gianni Infantino, që e kanë tronditur pozicionin aktual dhe objektivin e tij për një mandat tjetër si president i FIFA-s.
/abcnews.al
Burimi: abcnews.al










