Me mbylljen e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve është konfirmuar edhe ndarja përfundimtare e vazove për shortin e Kampionatit Evropian 2028, që do të hidhet më 6 dhjetor në Belfast.
Shqipëria dhe Kosova në vazon e tretë
Pasi fitoi grupin e saj në Ligën e Kombeve dhe u ngjit në Ligën B të këtij turneu, Shqipëria do të shortohet në vazon e tretë bashkë me Kosovën. Pavarësisht se u renditën të tretat në grupin e tyre, “Dardanët” arritën të ruajnë vendin në vazon e tretë. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë një derbi shqiptarësh në kualifikueset e “Euro 2026” dhe në teori si Shqipëria ashtu edhe Kosova do të kenë të paktën dy rivalë të lehtë në letër.
Sipas ndarjes përfundimtare të vazove, dy kombëtaret shqiptare nuk mund të shmangin në grupet e tyre në eliminatoret e Evropianit një rival të madh, që do të dalë nga vazo e parë.
Po ashtu, një kundërshtar tjetër i fortë, që del nga vazo e dytë, ndërsa ashtu si në kualifikueset e “Botërorit 2026” Shqipëria mund ta gjejë sërish në rrugën e saj Serbinë.
Kundërshtarët e tjerë
Dy kundërshtarët e tjerë të kombëtares kuqezi do të dalin nga vazo e katërt dhe e pestë, ku bëjnë pjesë skuadrat më të vogla.
I njëjti diskutim vlen edhe për Kosovën.
Formati i kualifikueseve
Kualifikueset e “Euro 2028” do të kenë një specifikë të veçantë, pasi katër organizatorët Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut e kanë të sigurtë vendin në finalet e turneut, ndërsa UEFA ende nuk e ka përcaktuar ndarjen e grupeve dhe formatin përfundimtar.
Po ashtu, në misionin për të luajtur për herë të tretë në finalet e një Kampionati Evropian, kombëtarja kuqezi ka edhe një mundësi të dytë nga play-off i Ligës së Kombeve, nëse nuk ia del nga kualifikueset e rregullta.
Burimi: tirananews.al










