Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Berisha u bën thirrje opozitës të bashkohet kundër Ramës

Berisha u bën thirrje opozitës të bashkohet kundër Ramës
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë sërish thirrje faktorëve opozitarë për bashkim kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se ftesa e tij mbetet e hapur për të gjitha forcat politike që e konsiderojnë kryeministrin si të keqen më të madhe për vendin.

“Unë kam durim. Prapë i ftoj të gjithë faktorët opozitarë që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe. Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin”, u shpreh ai.

Protestat dhe nevoja për një front të gjerë

“Protestat e përditshme shprehin shpirtin e revoltës të atyre qytetarëve, por rëndësi kryesore ka të krijohet një front i gjerë i fuqishëm dhe kjo kërkon një bashkërendim të gjithë faktorëve opozitarë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se bashkimi nuk kërkon që partitë opozitare të heqin dorë nga qëndrimet apo platformat e tyre politike. Sipas tij, forcat opozitare mund të ruajnë identitetin dhe bindjet e tyre, ndërsa të bashkërendojnë veprimet kundër qeverisë.

Reforma zgjedhore dhe ODIHR

Berisha u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke deklaruar se Partia Demokratike zotohet për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe krijimin e një kuadri të ri zgjedhor. Ai bëri të ditur se PD ka kërkuar përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në këtë proces.

Ai iu referua edhe draftit të përgatitur nga ODIHR-it për ndarjen e partisë nga shteti, duke e cilësuar këtë si një çështje thelbësore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Por ne kemi përgatitur një kuadër, i cili shpreh në tërësi kërkesat e të gjithë spektrit opozitar aktual. Kërkesat e forcave politike, kërkesa të aleatëve tanë, kërkesa të paraqitura në protesta. Pra, ne zotohemi për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe një kuadër të ri zgjedhor. ODIHR ka një material shumë të mirë për ndarjen e partisë nga shteti”, u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se opozita duhet të ndërtojë një front të gjerë dhe të koordinojë qëndrimet e saj, duke e vendosur bashkimin kundër Edi Ramës si prioritet të përbashkët.

/m.q/j.p/

 

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha