Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për buxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si historik, pasi për herë të parë prek tavanin e 10 miliardë eurove.
Buxheti dhe rritja e mundësive të ekonomisë
“Tabaku tha se paskam ardhur këtu për kartonin, jo, unë kam ardhur këtu për të bërë fjalën hyrëse lidhur me një buxhet që është historik, pasi për herë të parë ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove. Ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt, por edhe për rritjen e mundësive të ekonomisë sonë. Është i rëndësishëm edhe për faktin që kjo shumicë, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë me këtë buxhet, ul drejtpërdrejt atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vijuar të rrisë mbështetjen për pensionistët.
Shqiptarët mos i bëni për budallenj, se ujë në bisht të lugës ju japin, dhe ujë në bisht të lugës do t’ju japin edhe më 9 maj”, tha Rama.
Ulja e TVSH-së për produktet e shportës
“Vijmë këtu për të ulur TVSH-në për 54 produkte të shportës. Kjo është masë që na jep atë kënaqësinë e veçantë që mund ta japë vetëm politika kur ajo bëhet forcë e përbashkët për të sjellë rezultate që ndryshojnë jetën e njerëzve.
Nuk po e ulim TVSH-në që diferencën ta fusin në xhep tregtarët, ndaj kjo masë do të shoqërohet edhe me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve, e cila ka nisur të japë rezultate inkurajuese të kontrollit të tregut.
Pse e ulim për mallrat bazë të shportës? Sepse nuk ka arsye që barra fiskale e shportës së një familjeje me të ardhura të pakta të trajtohet njësoj si taksimi i konsumit të mallrave të tjera.
Partia dhe përkushtimi ndaj të ardhurave të ulëta
Ne mbetemi ata që ishim që në ditën e parë, besnikë të asaj që jemi, sa kohë i përkasim kësaj partie të mbledhur dhe fuqizuar ndër vite rreth atij trëndafili që është simboli ynë, që do të thotë se ne jemi partia që mendojmë në radhë të parë për ata që fitojnë më pak”, shtoi Rama më tej.
Burimi: kohajone.com










