Nico Paz ka zgjedhur të qëndrojë te Como edhe për këtë edicion, duke refuzuar alternativën e kthimit te Real Madridi. Ai kishte frikë se në Madrid nuk do të kishte minutazh të mjaftueshëm për të luajtur rregullisht.
Vendimi i mesfushorit argjentinas
Selene Melian, gazetare e “Radio Marca” Tenerife, tregoi se vetë mesfushori argjentinas ishte ai që mori vendimin për të vazhduar rrugëtimin në Itali. Sipas saj, 21-vjeçari preferoi të zhvillohet më tej nën udhëheqjen e Cesc Fabregasit, ku i është siguruar një peshë e konsiderueshme brenda ekipit.
“Të dhënat që disponojmë, dhe që unë i di nga afër, tregojnë se Nico Paz ishte personi që vendosi të qëndronte te Como këtë vit”, u shpreh Melian gjatë emisionit “La Tribu”.
“Unë e njoh Nico Pazin dhe familjen e tij, ndaj e di mirë se për çfarë flitet”.
Konkurrenca në Real Madrid
Melian theksoi se konkurrenca e fortë në mesfushën e Real Madridit do ta bënte të vështirë përfshirjen e rregullt të argjentinasit. Te Como, ai mund të vazhdojë të jetë ndër emrat kryesorë të formacionit.
“Sigurisht që Nico Paz e ka ëndërr të luajë një ditë për Real Madridin, por këtë sezon ai kishte siguri të plotë se do të aktivizohej rregullisht me Cesc Fabregasin”, shtoi ajo.
Zgjedhja e kombëtares
Ajo trajtoi edhe zgjedhjen e Pazit për të përfaqësuar Argjentinën në vend të Spanjës. Gazetarja solli në kujtesë një intervistë të të atit për Radio MARCA Tenerife, në kohën kur Javier Mascherano e kishte thirrur për herë të parë mesfushorin në ekipin U20 të Argjentinës.
Sipas saj, Federata Spanjolle e Futbollit nuk kishte komunikuar kurrë me lojtarin, prandaj ai nuk ishte vënë kurrë përpara nevojës për të zgjedhur mes Spanjës dhe Argjentinës.
“Federata nuk e kishte kontaktuar asnjëherë Nico Pazin, ndaj ai nuk është vënë kurrë përpara nevojës për të vendosur mes Spanjës dhe Argjentinës”.
Burimi: www.albeu.com









