Një grup protestuesish u grumbulluan mbrëmjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ku u shënuan disa momente tensioni me policinë. Protestuesit u shtynë herë pas here nga efektivët, ndërsa u raportuan edhe disa shoqërime.
Protestës i u bashkua edhe aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg, e cila shprehu mbështetjen për lëvizjen “Flamingo” dhe akuzoi autoritetet për dhunë dhe represion ndaj protestuesve.
Protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Ora 19:26

Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg, iu bashkua mbrëmjen e sotme protestës së grupit “Flamingo” përpara Kryeministrisë në Tiranë. Në një deklaratë nga protesta, ajo shprehu mbështetjen për lëvizjen, e cila ndodhet në ditën e 173-të të saj.
“Ndodhemi aktualisht në Tiranë, në ditën e 173-të të protestës së pandërprerë të Revolucionit Flamingo. Populli shqiptar ka treguar se çfarë do të thotë t’i rezistosh shkatërrimit të natyrës, shitjes së vendit tënd te fuqitë imperialiste dhe të ngrihesh kundër dhunës shtetërore dhe korrupsionit. Dhe vetëm pse kanë ushtruar të drejtën dhe lirinë e tyre për të protestuar, protestuesit janë përballur me dhunë dhe represion të paprecedentë nga policia dhe shteti. Bota qëndron në solidaritet me Revolucionin Flamingo dhe po ndjek atë që po ndodh” tha ajo.
Ora 18:45
Policia ndërhyri në bulevard, duke larguar protestuesit dhe duke liruar rrugën për qarkullimin e automjeteve. Gjatë ndërhyrjes u shënuan momente tensioni dhe përplasje mes efektivëve dhe protestuesve. Ndërkohë, në pamjet e siguruara shihet një protestuese duke debatuar me policinë.
Burimi: shqiptarja.com










