Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar pas akuzave që deputetja e PS, Elisa Spiropali, drejtoi ndaj tij një ditë më parë. Ajo deklaroi se ai, bashkë me Belinda Ballukun, e kishin kërcënuar dhe i kishin bërë presion.
“Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t’i bërë presion deri edhe ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë? Kush u shkon? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili është i emëruari personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj, apo qeveria e cila është brenda kësaj gjykatëse”, deklaroi dje Spiropali në një intervistë.
Binaj, në një reagim në rrjete sociale, shkruan se nuk ka zhvilluar kurrë takim me Ballukun. Sipas tij, ishte Spiropali dhe bashkëshorti i saj që kanë ushtruar presion ndaj Tatimeve dhe inspektorëve, pasi në kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve të tyre janë “evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha.”
Deklarata publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj
Binaj thotë se është një qytetar shqiptar që iu përgjigj thirrjes për t’i shërbyer vendit, pasi kishte punuar për vite në SHBA në fushën e auditimit financiar. Që nga data 23 shtator 2024, kur mori telefonatën e ministrit të Financave, nuk e ka takuar kurrë personalisht Belinda Ballukun, përveç takimeve publike të lidhura me detyrën.
Ai thotë se ka vendosur të bëjë këtë deklarim publik pas një sulmi mediatik nga Elisa Spiropali, i cili, sipas tij, nuk është i pari.
Sipas Binajt, ajo që deputetja nuk tha është se Administrata Tatimore është vendosur nën presion të paligjshëm nga ajo dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.
Administrata Tatimore, thotë ai, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet strategjike dhe operacionale, për mbledhjen e të ardhurave dhe luftën ndaj evazionit. Kontrollet, të bazuara në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte të lidhura me Spiropalin.
Binaj thotë se rezultatet nuk u kanë pëlqyer atyre dhe, si pasojë, inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre, janë kërcënuar. Ai pretendon se për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese, dhe se e gjithë procedura është e dokumentuar.
Sipas tij, kontrollet kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye, thotë ai, dosjet po i referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme, sipas procedurave të zbatuara për të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, pa asnjë përjashtim.
Binaj i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke theksuar se është një nëpunës i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejon askënd të cenojë dinjitetin e tij dhe të familjes për shkak të detyrës.
Ai i kujton asaj, si ish-drejtoreshë e Doganave, se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.
Burimi: lajmifundit.al










