Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Xhemali takon misionin e FMN-së për zhvillimin e tregjeve financiare

Xhemali takon misionin e FMN-së për zhvillimin e tregjeve financiare
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, të kryesuar nga shefi i misionit, Diego Cerdeiro.

Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve periodike të FMN-së mbi zhvillimet ekonomike në vend.

Diskutimet mbi tregjet financiare jobankare

“Diskutimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në tregjet financiare jobankare në Shqipëri, ecurinë e reformave ligjore dhe rregullatore, prioritetet e mbikëqyrjes, duke u fokusuar në progresin e arritur nga Autoriteti në përgatitjen e institucionit dhe të tregjeve për integrimin në Bashkimin Evropian, përmes avancimit të përafrimit të kuadrit ligjor me legjislacionin e BE-së”, theksoi drejtoresha e AMF-së.

Xhemali paraqiti një panoramë të tregut të sigurimeve, tregut të kapitaleve, fondeve të investimeve dhe pensioneve private, duke trajtuar tendencat kryesore dhe sfidat me rëndësi për stabilitetin financiar.

Vlerësimi i bashkëpunimit me FMN-në

Xhemali vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të mbështetjes së këtij institucioni për avancimin e reformave dhe forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve financiare jobankare.

Nga ana e tij, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, vlerësoi progresin e Autoritetit në hartimin e kuadrit ligjor e rregullator dhe përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”.

Reformat në proces synojnë forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, përmirësimin e qeverisjes dhe transparencës së subjekteve të mbikëqyrura, si dhe rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve.

Takimi u zhvillua në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Autoritetit dhe FMN-së për shkëmbimin e informacionit mbi zhvillimet në tregjet financiare jobankare, duke mbështetur përgatitjen institucionale dhe të tregjeve për përmbushjen e kërkesave dhe standardeve evropiane.

/k.s/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha