Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Gjashtë vite pa Maradonën: futbolli e përkujton legjendën

Gjashtë vite pa Maradonën: futbolli e përkujton legjendën
Foto: ata.gov.al

BUENOS AIRES, 25 nëntor /ATSH – ANSA/ – Argjentina dhe bota e sportit përkujtojnë sot gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta të Diego Armando Maradonës, një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit botëror.

Vdekja e tij, më 25 nëntor 2020, shkaktoi një valë zie në të gjithë vendin dhe tronditi miliona tifozë në mbarë botën.

Homazhet nga federata dhe klubi

Një nga homazhet më të ndjera erdhi nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA), e cila përmes një mesazhi në rrjetet sociale nderoi kujtimin e ish-kapitenit të kombëtares. Federata theksoi se ai i çoi ngjyrat e Argjentinës në majat më të larta dhe la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit.

“Ka futbollistë që ndërtojnë karriera të mëdha dhe të tjerë që, si Diego, bëhen pjesë e identitetit të një kombi”, thuhet në mesazhin e federatës.

Edhe klubi Boca Juniors, skuadra për të cilën Maradona ishte tifoz, publikoi një dedikim emocionues, duke kujtuar lidhjen e tij të veçantë me klubin dhe tifozët.

“Në çdo triumf, në çdo lutje, në tatuazhe dhe në flamuj: gjithmonë i pranishëm në zemrat e ‘bosteros’. Na mungon, Pelu”, shkroi klubi në rrjetet sociale, duke shoqëruar mesazhin me fotografi të flamujve, tatuazheve dhe muraleve kushtuar legjendës argjentinase.

Zëri i komentatorit legjendar

Një tjetër homazh emocionues erdhi nga komentatori i njohur sportiv Víctor Hugo Morales, i cili është bërë i famshëm për transmetimin e golit të dytë të Maradonës kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986, me një rrëfim që mbetet ndër më të paharrueshmit në historinë e futbollit.

“Diego bëhet gjithnjë e më i madh, ditë pas dite. Zërat e kritikëve të tij nuk dëgjohen më. Gjithçka është zbehur. Ai ka fituar dashurinë e njerëzve dhe mirënjohja e argjentinasve ndaj tij sot është e jashtëzakonshme”, deklaroi Morales në programin e tij në Radio Am750.

Procesi gjyqësor

Ndërsa vendi përkujton figurën e Maradonës, drejtësia argjentinase ka caktuar datën 22 dhjetor për shpalljen e vendimit ndaj shtatë anëtarëve të ekipit mjekësor që e trajtonin futbollistin deri në ditën e vdekjes.

Ata akuzohen për vrasje me dashje, ndërsa procesi gjyqësor pritet të përcaktojë përgjegjësitë për vdekjen e tij. /os/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha