Për shumë kohë, xhinset e bardha janë konsideruar një veshje tipike verore, por moda ka treguar se ato mund të jenë po aq elegante edhe në muajt e ftohtë. Të kombinuara me pallto, xhaketa, triko apo këpucë të përshtatshme për sezonin, ato kthehen në një nga alternativat më interesante për një pamje moderne dhe plot stil.
Këtë vjeshtë, frymëzimi vjen edhe nga kombinimet e preferuara të street style-it, ku xhinset e bardha shfaqen në prerje të ndryshme: nga modelet klasike me këmbë të drejta, te ato më të gjera dhe me bel të ulët. Edhe nuancat ndryshojnë, duke përfshirë të bardhën e pastër, ngjyrën krem dhe tonet e buta ecru.
Sekreti qëndron te mënyra se si i kombinoni. Një bluzë e thjeshtë e bardhë, një këmishë me ngjyrë të fortë apo një xhaketë karakteristike mund të krijojnë një veshje të kuruar pa shumë mundim.
10 mënyra për t’i kombinuar xhinset e bardha këtë vjeshtë
1. Një kombinim total në të bardhë
Një nga mënyrat më elegante për të veshur xhinset e bardha është kombinimi i tyre me një pallto apo xhaketë në të njëjtën nuancë. Pamja monokromatike krijon një efekt të pastër dhe elegant. Për t’i dhënë pak kontrast, mund të shtoni një triko blu të hapur, këpucë të zeza me taka dhe vathë të artë.

2. Elegancë me një xhaketë klasike
Për një pamje më femërore, kombinojini xhinset e bardha me një xhaketë të shkurtër me kuadrate në nuanca kafe. Prerja e saj krijon një kontrast të bukur me modelin e lirshëm të xhinseve, ndërsa një çantë e zezë dhe këpucët balerina e bëjnë kombinimin edhe më elegant. Është një zgjedhje ideale edhe për ditët në zyrë.

3. Luani me teksturat
Nëse preferoni stilin minimalist, provoni të kombinoni materiale të ndryshme. Një xhaketë e zezë prej kamoshi, me jakë të lartë, krijon një kontrast interesant me xhinset e bardha. Plotësojeni veshjen me çizme me majë dhe një çantë me detaje dekorative për një pamje moderne.

4. Thjeshtësi për çdo ditë
Ndonjëherë, kombinimet më të bukura nisin nga veshjet bazike. Xhinset e bardha me prerje të drejtë, një bluzë e thjeshtë dhe një pallto e lehtë janë një formulë që funksionon gjithmonë. Për t’i dhënë më shumë karakter veshjes, vendosni një triko të kuqe mbi supe dhe zgjidhni këpucë mules.

5. Vijat që nuk dalin kurrë nga moda
Një bluzë me mëngë të gjata dhe vija të kuqe është një tjetër alternativë për t’u kombinuar me xhinset e bardha. Zgjidhni një model paksa oversize për një pamje më të relaksuar. Këpucët e zeza, qoftë çizme, mokasina apo atlete, e balancojnë kombinimin, ndërsa një çantë lëkure dhe syzet e stilit aviator i japin prekjen përfundimtare.

6. Stili praktik me xhaketën barn
Xhaketat e stilit barn vazhdojnë të jenë ndër tendencat e sezonit. Një model në ngjyrë rozë të zbehtë, i kombinuar me xhinse të bardha, krijon një pamje të freskët edhe në ditët më të ftohta. Shtoni një triko të zezë, mokasina dhe një çantë kamoshi në ngjyrë kafe për një kombinim të përshtatshëm si për shëtitjet në qytet, ashtu edhe për fundjavat jashtë tij.
7. Nga zyra në një dalje në darkë
Kush tha se xhinset e bardha janë vetëm për kombinime casual? Për një pamje më elegante, vishini me një xhaketë në stil smoking, një bluzë mëndafshi dhe këpucë elegante të sheshta. Një çantë e strukturuar dore do ta plotësojë veshjen, duke e bërë të përshtatshme si për orët e punës, ashtu edhe për një dalje në mbrëmje.
8. Jepini ngjyra veshjes
Nëse dëshironi të eksperimentoni me ngjyrat e forta të sezonit, një këmishë me ngjyrë të ndezur është zgjedhja e duhur. Kombinojeni me një bluzë të bardhë poshtë dhe xhinse me prerje të drejtë. Një rrip lëkure dhe këpucë elegante me pjesën e sipërme më të mbyllur do ta bëjnë pamjen më të kuruar.
9. Shtresëzimi në stilin francez
Për një pamje me frymëzim parizien, sekreti është shtresëzimi i veshjeve. Xhinset e bardha mund të kombinohen me disa lloje xhaketash, si një xhaketë praktike, një blazer me kuadrate apo një windbreaker. Përveçse krijojnë një pamje interesante, këto shtresa janë edhe praktike për ditët e vjeshtës, kur temperaturat ndryshojnë gjatë ditës.
10. Kontrasti klasik bardhë e zi
Kombinimi bardhë e zi mbetet një zgjedhje që nuk zhgënjen kurrë. Xhinset e bardha me prerje të gjerë mund t’i vishni me një triko të zezë me jakë të lartë, duke shtuar një rrip me detaje reliev, këpucë kamoshi dhe një çantë lëkure. Në ditët më të ftohta, mjafton të shtoni një xhaketë lëkure ose një pallto leshi për ta bërë veshjen edhe më të përshtatshme për sezonin.
Pra, mos i lini xhinset e bardha në garderobë me përfundimin e verës! Me kombinimet e duhura, ato mund të bëhen një nga veshjet më të përdorshme dhe elegante të vjeshtës dhe dimrit.
Burimi: bordo.al










